Pas Gjermanisë, Argjentinës e Portugalisë, është radha e Spanjës që i thotë lamtumirë Botërorit, e eliminuar pas një ndeshje dramatike pikërisht nga organizatorët e Rusisë.
Vendasit nuk mundën t’i bënin ballë presionit të shpejt të Spanjës dhe në një krosim, mbrojtësi Ignashevich e dërgon topin në portën e tij pas një dyluftimi me mbrojtësin Sergio Ramos që në minutën e 12. Deri në këtë fazë të botërorit, ky është autogoli i 10 i shënuar në këtë kompeticion.
E gjendur kaq herët në disavantazh, aq më tepër ndaj Spanjës, u mendua se Rusia nuk do të arrinte të reagonte, por ndodhi e kundërta dhe vendasit shkuan disa herë rrezikshëm në portën e De Geas.
Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 41, kur arbitri akordoi një penallti për prekje me dorë në zonë nga Pique dhe Dzyuba e ktheu në gol, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim 1-1.
Në pjesën e dytë, Spanja ishte më kërkuese, por konkretizimi në portën ruse mungoi dhe rezultati i barabartë mbeti në fuqi deri në përfundim të kohës së rregullt, por edhe të 30 minutave të shtesës.