Një seri sulmesh ajrore që besohet të jenë kryer nga bombarduesit rusë kanë lënë të vdekur të paktën 43 persona në qytetin sirian të Idlib.

Kjo gjë pretendohet nga aktivistë dhe banorë të zonës, sipas të cilëve numri i të plagosurve është më shumë se 170. Në shënjestër të sulmeve ka qenë një treg, shtëpi dhe seli të qeverisë lokale. Dëshmitarë në vendngjarje thonë se nga rrënojat vazhdojnë të nxirren trupa të pajetë. Rusia, e cila nisi në shtator një fushatë bombardimesh ajrore në mbështetje të qeverisë së Bashar al-Asadit, nuk e ka konfirmuar autorësinë e sulmeve. Ajo pretendon se po shënjestron vetëm terroristët, kryesisht militantët e Shtetit Islamik, por aktivistët pretendojnë se në fokusin kryesor të bombardimeve rusë janë grupe rebele të mbështetura nga Perëndimi. Një koalicion rebelësh islamikë antiqeveritarë, pushtoi qytetin e Idlibit më herët gjatë këtij viti. Kjo është qendra e dytë rajonale që bie në duart e rebelëve gjatë konfliktit, pas pushtimit të Raqqas nga ISIS. Avancimi i tyre në zonë përbën një kërcënim të madh për një rajon të afërt bregdetar, i cili është bastion i mbështetësve të qeverisë së Assadit.tch

Artikulli paraprakZGJEDHJET NË SPANJË, FITOJNË KONSERVATORËT POR SKANË SHUMICËN
Artikulli tjetërMERCEDES – BENZ, TESTON MODELIN E RI NË SHQIPËRI