S’gjenden investitorë,dështojnë zonat industriale Koplik e Spitallë

Projekti për zonat industriale të Qeverisë duket se është kthyer në një dështim të plotë. Pas revokimit të projektit për krijimin e një zonë ekonomike në Shkodër, duket se të njëjtin fat po pëson edhe ajo e Spitallës. Ne dhjetorin që sapo lamë pas, ka dështuar tenderi i dytë i organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për këtë qëllim. Tenderi u shpall më 22 shtator, dhe të interesuarve ju la 3 muaj kohë për të paraqitur ofertat. Por deri më 23 dhjetor, kur qe edhe afati i fundit për pjesëmarrjen në procedurën konkurruese, nuk u paraqit asnjë ofertë. Ideja e krijimit të zonave ekonomike u hodh fillimisht nga Qeveria Berisha, e cila shpalli 9 të tilla, por pa arritur ndonjë sukses të dukshëm. Me marrjen e pushtetit, Qeveria Rama i quajti të dështuara përpjekjet për të nënta zonat, dhe paraqiti një projekt që parashikonte ndërtimin e tre zonave, në Spitallë, në Vlorë dhe në Koplik. Projekti, sipas Qeverisë do të siguronte nxitje direkte dhe konkurruese për investitorët dhe se procedurat për zonat ekonomike tashmë janë shumë favorizuese, ndryshe nga ç’ishin në të kaluarën. Por edhe projekti i Qeverisë Rama nuk duket se do të japë fryte. Në vitin 2008, Spitalla u shpall nga Qeveria Berisha zonë ekonomike me statusin e parkut industrial në një sipërfaqe prej 850 hektarësh. Në vitin 2015, Qeveria Rama rimodeloi projektin, duke zvogëluar sipërfaqen e zonës ekonomike në 501 hektarë nën justifikimin se një sipërfaqe aq e madhe kishte nevojë për shpenzime të papërballueshme nga investitorët. Në tender u paraqitën dy investitorë, gjë që u trumbetua si sukses nga Qeveria. Në atë kohë Ministria e Ekonomisë tha se në zonë priteshin të bëheshin 1.5 miliardë dollarë investime të huaja në aktivitete prodhuese, industriale, agropërpunuese, të cilat do të hapnin 90 mijë vende pune. Por asnjë prej kompanive që shfaqën fillimisht interes nuk I shkoi deri në fund tenderit. Në vitin 2016, Qeveria zvogëloi edhe më tej në 199 hektarë sipërfaqen e zonës dhe propozoi edhe më shumë lehtësira fiskale. Zhvilluesit dhe përdoruesit përjashtohen nga pagesa e 50% të normës së tatim-fitimit për 5 vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së tyre. Zhvilluesit ose përdoruesit që investon në zonë brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës, i njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore 20% e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit, sipas ligjit të tatim-fitimit për periudhën e parë 2-vjeçare. Tenderi i dështuar në dhjetor parashikonte një kontratë 99 vjeccare, në fazën e parë të të cilit do të jepeshin me 1 euro qira 101.2 ha tokë. Por asnjë nga këto ndryshime nuk qe në gjendje të tërhite vëmendjen e investitorëve. Ndërsa dështimi i tenderit në dhjetor kaloi në heshtje, nuk është thënë ende asgjë nga Qeveria nëse do të ketë një përpjekje të tretë për të thithur investime në këtë zonë. Por ndërsa së paku teorikisht përpjekjet për thithjen e investimeve në Spitallë mbeten ende të hapura, fat më të keq pati zona ekonomike e Shkodrës. Pas tetë vitesh përpjekjesh të kota, Qeveria Rama vendosi prillin e shkuar të shfuqizoi vendimin e Qeverisë Berisha që shpallte këtë zonë ekonomike. Kontrata shtrihej për një periudhë 36 vjeçare, ndërsa do të zinte një hapësirë prej 137 hektarësh. Zona ekonomike në pronë shtetërore do të jepej me koncesion. Por që nga viti 2008, asnjë investitor nuk paraqiti interes për këtë zonë.

Artikulli paraprakALARMI I BRITANISË SË MADHE: SHQIPTARËT JANË EMIGRANTËT MË TË SHUMTË ILEGALË
Artikulli tjetërARRESTOHEN 5 MENAXHERË TË HOTELEVE, TRAFIKONIN EMIGRANTË SHQIPTARË