Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Shkodër ka marrë një paralajmërim për gjobë sepse nuk ka dhënë informacion nëse ka nisur apo jo procedurat për shpalljen e falimentit të klubit të futbollit Vllaznia sh.a.

Me datë 27 shkurt të këtij viti organizata “Intelektualët e Rinj Shpresë” i ka dërguar një shkresë drejtorisë së tatimeve në Shkodër duke kërkuar informacion për nisjen e procedurave për shpalljen e falimentit të shoqërisë aksionere klubi i futbollit Vllaznia. Është refuzuar ky informacion për IRSH-në dhe këta të fundit i janë drejtuar Komisionerit për të Drejtën e Informimit. Këta të fundit kanë njoftuar drejtorinë rajonale të tatimeve se kanë detyrim ligjor që të japin një përgjigje për kërkesën e depozituar nga IRSH. Afati i lënë është data 4 prill e këtij viti dhe në rast se sërish s’do të ketë një përgjigje atëherë drejtoria e tatimeve në Shkodër do të gjobitet në bazë të sanksioneve ligjore. Gjoba shkon deri në 3 milion lekë të vjetër. Organizata “Intelektualët e Rinj Shpresë” pretendon se në bazë të ligjit për shoqëritë aksionere duhet që të kishin nisur procedurat për shpalljen e falimentit për Vllaznia sh.a për shkak se klubi ka mbi tre vite që nuk del me fitim, duke e detyruar kështu vetë shoqërinë apo edhe drejtorinë e tatimeve që të nisin shpalljen e falimentit. Me shumë gjasa një gjë e tillë nuk ka ndodhur ndaj IRSH i është drejtuar tatimorëve me një shkresë zyrtare por pa arritur që të marrë një përgjigje. Organizata në fjalë ka arritur që në bazë të ligjit të dalë në përfundimin se Vllaznia nuk mund të vazhdojë të financohet vetëm nga bashkia Shkodër duke mos arritur të dalë me fitim. Në rast të privatizimit, proces që ka nisur vlera e kuqebluve mund të shkojë në shifra të larta teorikisht por në fakt arka e klubit është bosh. Paratë e dhëna për zmadhim kapitali janë shpenzuar menjëherë. Në rast se kjo procedurë nis dhe arrihet të shpallet falimenti atëherë Vllaznia automatikisht nga kategoria Superiore shkon në kategorinë e katërt.

Artikulli paraprakMBJELLJA E PEMËVE, SENSIBILIZIM NË BUSHAT
Artikulli tjetërKËNGËTARI AQ SHUMË I DASHUR SHQIPTAR VJEN ME LAJMIN BOMBASTIK