S’ka programues dhe kuzhinierë Italia kërkon 200 mijë punëtorë
Italia kërkon 200 mijë punëtorë. Në tregun e punës mungojnë programuesit, mekanikët dhe kuzhinieret, kjo ka bërë që kompanitë të kenë nevojë për 200 mijë punonjës të kualifikuar në këta sektorë. Mbi 20,6% e posteve të 969 mijë pozicioneve të parashikuara nga ndërmarrjet në Itali nuk arrijnë të plotësohen. Industritë e teknologjisë së informacionit, mekanikës, elektronikës, por edhe kuzhinierët kanë mungesë personeli të kualifikuar. Mungesa e profesionistëve ka bërë, që pavarësisht rritjes së nivelit të papunësisë në Itali kërkohen punëtorë, shkruan corriere.it. Sipas të dhënave të publikuara; në 99 raste nga 100 nuk gjenden kuzhinierë për të punuar në ‘fast food’, ndërsa mbeten bosh vendet e punës për 7 elektroteknikë në 10 dhe pothuajse 6 tornitorë në 10. Kjo rezulton nga sistemi informatik Excelsior, realizuar nga Unioni i Dhomave, mbi parashikimet e punësimit për periudhën ndërmjet gushtit dhe shtatorit 2017 nga ana e bizneseve private të sektorëve të industrisë dhe shërbimeve. Nga veriu në jug të vendit nuk gjenden analistë programues, operatorë tregtarë, specialistë të logjistikës së magazinës, specialistë në drejtim dhe kontroll.