Ndryshe nga sa mund të keni lexuar kohët e fundit, Toka nuk do të shkatërrohet nga asteroidi “Apophis” më 13 prill 2029. As “Bennu”, një grumbull mbetjesh hapësinore me gjerësi 535 metra, nuk do të na godasë më 24 shtator 2182.
Çdo histori frikësuese që paralajmëron përplasjen e afërt të një trupit qiellor me Tokën, është thjeshte një përrallë e frikshme. Por njëkohësisht, është e pashmangshme që diçka e tillë të ndodhë një ditë. Dhe kur të ndodhë, ajo mund të gjenerojë zjarre të mëdha, cunami dhe zhdukjen e shumicës së specieve në këtë planet.
“Ky është paradoksi i asteroideve”- thotë Emi Mainzer, eksperte e mbrojtjes planetare në Laboratorin Hënor dhe Planetar të Universitetit të Arizonës, SHBA. Sipas saj shanset për një përplasje të madhe në çdo vit të caktuar janë të vogla, por pasojat e mundshme janë të mëdha.
Ajo çka e ngatërron më shumë parashikimin, është sesa më i vogël të jetë përplasja, aq më shumë ka të ngjarë që të ndodhë ajo, dhe aq më e vështirë është të parashikohet. Të gjitha këto variabla, e bëjnë shumë sfiduese për shkencëtarë vlerësimin e rreziqet e asteroideve në një mënyrë të dobishme, e cila mund t’i komunikohet edhe publikut.
“Ju nuk keni nevojë të blini një policë sigurimi për asteroidët. Por as nuk ta injoroni plotësisht këtë çështje”- shton ajo. Qendra për Studimet e Objekteve Pranë Tokës (NEO) në laboratorin “Jet Propulsion” të NASA-s, përdor softuerin e simulimit të orbitës të quajtur “Sentry II”, për të vlerësuar rrezikun që paraqet çdo asteroid i sapo-zbuluar pranë planetit tonë.
Në më pak se një orë, ai mund të llogarisë shanset e sakta të përplasjes të një objekti qiellor brenda 100 viteve të ardhshme, deri në copëzat më të vogla. Baza e saj të dhënave është e hapur për publikun. Ju mund ta verifikoni vetë se asnjë objekt i madh nuk ka ndonjë probabilitet të konsiderueshëm për t’u përplasur me Tokën, të paktën sa të jenë gjallë njerëzit e sotëm.
Por kjo garanci vjen me një paralajmërim të rëndësishëm, sipas të cilit vëzhgimet aktuale të asteroideve nuk janë të plota. Mainzer ka punuar për ta korrigjuar këtë të metë, si drejtuese e NEOWISE, një teleskop hapësinor i ripërdorur i NASA-s, që tashmë po “skanon” qiellin për shkëmbinj hapësinorë të panjohur më parë.
Qershorin e kaluar, NASA autorizoi zyrtarisht NEO Surveyor, me Mainzer në krye. Deri nga mesi i viteve 2030, NEO Surveyor duhet të gjurmojë mbi 90 për qind të asteroidëve potencialisht të rrezikshëm, me një diametër më shumë se 140 metra.
Astronomët përqendrohen tek ajo përmasë, pasi objekte të tilla janë mjaft të vogla për t’u pikasur gjatë vëzhgimeve aktuale, por mjaftueshëm të mëdha për të shkaktuar dëme të konsiderueshme rajonale. Për asteroidët edhe më të mëdhenj, të aftë të shkaktojnë një shkatërrim në përmasa globale, mbikëqyrja duhet t’i afrohet 100 përqindëshit.
Për të përmirësuar më tej procesin mbikëqyrës, NASA ka sponsorizuar një seri simulimesh të mbrojtjes planetare, në të cilat shkencëtarët pretendojnë se kanë zbuluar një asteroid të ri kërcënues për Tokën. Një ushtrim i realizuar në pranverën e këtij viti nga Vishnu Redi në Universitetin e Arizonës, u bazua në hipotezën se një asteroid i ngjashëm me “Apophis” ishte në një kurs përplasjeje me Tokën.
Pjesëmarrësit në atë simulim ishin të lirë të përpiqeshin të kuptonin se çfarë po ndodhte. Simulimi arriti kulmin me një përplasje vdekjeprurës mbi Republikën Çeke. Fatmirësisht, agjencitë hapësinore të botës po i shtojnë përpjekjet e tyre për të mësuar se si të ndryshojnë trajektoren e një asteroidi të rrezikshëm.
Vitin e ardhshëm, anija kozmike “DART” do të përplaset kokë më kokë në një asteroid me diametër 16 metra të quajtur “Dimorphos”, testi i parë i devijimit të një asteroidi. Rreth 4 vjet më vonë, anija kozmike “Hera” e Agjencisë Hapësinore Evropiane do të zhvillojë një studim të ngushtë të efektit të DART mbi “Dimorphos”. Misionet e përbashkëta do të përmirësojnë shumë njohuritë tona se si janë asteroidët nga brenda, dhe çfarë do të duhet për të shmangur rreziqet për planetin tonë./bota.al