Shkodrës do t’i kthehet sahati, një nga simbolikat e qytetit e vendosur në një pallat 6 katësh, në një kullë të vogël por që prej vitesh nuk është funksionale. Bashkia Shkodër ka kërkuar që kjo vepër të rivihej në funksion ndërkohë që gjatë verifikimit është gjetur edhe mekanizmi i orës mbi 120 vjeçare. Ajo është gjetur në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallatin 6 katësh në qendër të qytetit, ku ndodhet dhe sahati i Shkodrës. Mekanizmi ishte ruajtur nga familja shkodrane, Kurraj për 33 vjet pas rrëzimit të komunizmit.
Petrit Bilali, restaurator thotë se ka qenë kryetari I bashkisë, Benet Beci që ka kërkuar të restaurohej mekanizmi.
Ndërkohë orëndreqësit e Shkodrës tregojnë për rëndësinë e këtij objekti siç është Sahati.
Përmes një postimi në facebook kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci tregon habinë kur e mësoi se në çfarë situate ndodhej Sahati.
“Kurrë s’e mendova se do ta gjenim mekanizmin e vjetër të sahatit aty në kullën e vogël ngritur enkas mbi pallat, kur i kërkova një punonjësi të bashkisë të shkonte ta verifikonte. Mekanizmi mbi 120 vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M’u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruan Beci në rrjetet sociale.
Mekanizmi do të bëhet pjesë e fondit të Muzeut të qytetit, vijon më tej kryebashkiaku duke shtuar se po punohet për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta bërë funksional në të njëjtin vend.