Eshtë mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Tiranë ceremonia përuruese e Samitit të Diasporës që do të mbajë punimet këto ditë në kryeqytetin shqiptar.
Duke hapur këtë event, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka vlerësuar rëndësinë e kontributit të diasporës shqiptare kudo në botë. Në fjalën e tij, Bushati ka shprehur bindjen se ky samit do të çelë një kapitull të ri për shqiptarët kudo që ata jetojnë. “Ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes institucioneve të shtetit dhe diasporës”, ka thënë Bushati, për ta vlerësuar rolin e emigrantëve shqiptarë si të pazëvendësueshëm. “Rolet e diasporës shqiptare në SHBA, në Europë dhe kudo kanë qenë të rëndësishme për Shqipërinë. As Shqipëria e as Kosova nuk do të ishin sot këtu ku janë pa diasporën”, ka theksuar Bushati. Shefi i diplomacisë shqiptare e ka vënë theksin tek nevoja për ngushtimin e hendekut mes shtetit dhe diasporës, që sipas tij do të sheshojë paragjykimet që palët mund të kenë ndaj njëri-tjetrit. “Ka ardhur koha të ndërtojmë një partneritet të qëndrueshëm me diasporën, të përfshijmë diasporën në zhvillimin ekonomik. Por partneriteti duhet të bazohet mbi solidaritetin njerëzor. Nga një marrëdhënie kur diaspora priste nga shteti ose shteti nga diaspora duhet të kalohet në një marrëdhënie ndërvepruese”, ka shtuar Bushati. Anëtari i Asamblesë së Nju Jorkut Mark Gjonaj në fjalën e tij në hapje të Samitit të Diasporës kërkoi nga qeveria bashkëpunim me diasporën shqiptare. Ai tha se duhet të krijohet një axhende e kombëtare. Gjonaj: Si diaspora edhe qeveria kanë një rol aktiv. Roli i qeverisë është që të na ruajë identitetin tonë. Roli i diasporës është që ne të jemi gjtihmonë gati për ti shërbyer vendit. Kemi bashkëpunuar mes dy palëve për çështje të cilat do të ndërtojnë marrëdhënie për të pasur një urë komunimkimi. Shpresioj që të kemi mundësinë që të votojmë. Ne të luajmë rolin tonë. Shpresojme të kemi një këshill të diasporës pa ndikime politike, por ne të kemi zërin tonë pavarësisht kush është në qeveri. Kërkojmë që të harmonizohet nënshtetësia e dyfishtë. Le të vendosim një axhende kombëtare, që ta kenë zili të gjithë, një axhente që ti shërbeje brezave. Presidenti i Kosovës tha në fjalën e tij në Samitin e Diasporës se po shikohet mundësia për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara në Parlament. Thaçi: Ne kemi obligim si shtete që të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit kombëtar të diasporës dhe ti shtrijmë atyre dorën. Diaspora duhet të jetë më shumë e shtrirë në jetën institucionale të Kosovës. Prandaj në këtë frymë në kuadër të punës për reformën zgjedhore do të trajtojmë edhe mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për të përcaktuar një numër të vendeve të rezervuara për diasporën në Parlamentin e Kosovës.