Samiti i Diasporës, Rama ftesa edhe Bashës e Bujar Nishanit
TIRANE – Këtë fundjavë në Tiranë organizohet për herë të parë Samiti i Diasporës, ku pjesëmarrës do të jenë mbi 800 shqiptarë, që përfaqësojnë diasporën e hershme, por edhe atë të re. Burime nga ekipi organizator i Samitit, që mbahet nën kujdesin e kryeministrit Edi Rama, bëjnë me dije burime nga Kryeministria për Shqiptarja.com se të ftuar për të folur përpara shqiptarëve nga rreth 40 vende të botës, janë edhe Presidenti Bujar Nishani dhe kryetari i opozitës, Lulëzim Basha. Nuk dihet nëse Presidenti dhe kryeopozitari e kanë konfirmuar prezencën e tyre. Ndërkohë mësohet se me siguri se përveç kryeministrit Rama, Samitit do t’i adresohen edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Ilir Meta dhe nënkryetari i Parlamentit, Shpëtim Idrizi. Çfarë është samiti i parë i diasporës në Shqipëri? Samiti është një aktivitet madhor që organizohet për herë të parë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama në datat 18-20 nëntor 2016 në Tiranë. Samiti do të mbledhë individë të shquar nga fusha të ndryshme, drejtues apo përfaqësues të organizatave të ndryshme në diasporë si edhe anëtarë të saj nga të gjitha vendet e botës. Samiti do të jetë kuvendi i parë gjithëshqiptar për të analizuar, së bashku me autoritetet si dhe aktorë të tjerë të vendit, të gjitha mundësitë për vendosjen e një bashkëpunimi të njëmendtë mes atdheut dhe diasporës shqiptare në botë. Cili është qëllimi/objektivi i këtij samiti të parë? Samiti do të jetë një aktivitet jopolitik bazuar në parimin gjithëpërfshirës, me dëshirën për të vendosur një urë komunikimi gjithnjë të dëshiruar por të munguar dhe për të krijuar një mekanizëm komunikimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi të qëndrueshëm mes Atdheut dhe bashkëkombësve jashtë vendit. Kush mund të marrë pjesë në samit? Në samit mund të marrë pjesë çdo anëtar i diasporës shqiptare, pavarësisht origjinës. Për më shumë detaje lidhur me regjistrimin të konsultohet rubrika për regjistrimin e pjesëmarrjes. Regjistrimi në samit do të bëhet nëpërmjet faqes së internetit. Për të gjitha vendet, si në ato ku ka përfaqësi apo edhe atje ku nuk ka, për lehtësi e thjeshtësi, të konsultohet rubrika përkatëse në faqen e samitit. Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë janë të udhëzuara për të komunikuar në mënyrë të përhershme çdo informacion lidhur me samitin, por ato nuk janë të ngarkuara për të bërë regjistrimin e pjesëmarrësve.