Samiti i Diasporës, Rama: Ide e Lindës, s’dua të jetë më e fshehtë “Ndonjëherë pëlqej mendimet e saj para të miave”
Kryeministri Edi Rama tregoi për herë të parë se mbajtja e këtij Samiti të Diasporës në Tiranë, ishte një ide e bashkëshortes së tij, Linda Rama. Rama tha se mori propozimin nga bashkëshortja, pas takimeve të shumta të zhvilluar në Nju Jork në 2015-ën, me shqiptarë të diasporës. “Megjithëse unë jam kokëfortë, nuk dua që të jetë më e fshehtë se idetë e gruas më pëlqejnë ndonjëherë më shumë se të miat”, u shpreh Rama. “Në shtatorin e 2015-ës gjendesha në Nju York, në OKB, krenohej me bujë 70 vjetori i asaj organizate. Gjendej po aty edhe mishërimin e diasporës italiane, Papa Françeskun. Takova plot shqiptarë, falë rrjeteve të tyre të organizuar, apo me shqiptarë të panjohur në rrugët e Nju Jorkut, apo edhe në sofrën e shqiptarëve në Nju Jork, bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kishim kohë që përpiqeshim të gjenim rrugë të reja për përfshirjen e diasporës. Kjo e shtyu Lindën, të hidhte idenë fillestare të këtij Samiti”, deklaroi kryeministri. Përpara përfaqësuesve të Diasporës, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesve të politikës, Rama deklaroi se Shqipëria dhe Kosova duhet të bëjnë më shumë për diasporën. Kryeministri vlerësoi rolin e diasporës në pavarësinë e Kosovës. “Pa diasporën Shqipëria është më e cunguar se një territori copëtuar në mijëra pjesë. T’ju jesh mirënjohës që keni ardhur këtu nga 40 vende të botës, është pak të thuhet. Në 25 vitet e fundit, pas rënies së diktaturës ishte Shqipria që në vobektësinë e saj jo dhe aq materiale, por morale, u shndërrua për diasporën në një lloj destinacioni pa fryt, pa katandi, ndërkohë që dërgesat e parave, investimet tuaja mbështetja pa kufij dhe lobingu fantastik që ju të gjithë përfaqësoni keni bërë për vendin amë, ku më e shkëlqyera në histori mbetet beteja për Kosovën e lirë, nuk janë vetëm ndihma e drejtpërdrejtë që keni dhënë, por janë shembulli më kuptimplotë i asaj që shqiptarët mund të bëjnë nëse arrijnë të bëhen bashkë”, tha Rama. Kreu i qeverisë kërkoi që Samiti i Diasporës të kthehet në traditë dhe të organizohet çdo vit në formatin e një universiteti sezonal. “Diaspora ta marrë për dore Shqipërinë për ta ndihmuar që të hedhë hapa të tjerë drejt suksesit. Mbase ne nuk kemi asgjë për t’ju mësuar, por e kemi organizuar këtë samit, sepse jemi të vetëdijshëm se kemi shumë për të mësuar nga ju. Ëndërroj që ky samit i diasporës të kthehet në një universitet sezonal, ku nuk janë më të gjithëditurit e një shoqërie që rri dhe vetëm flet, por janë historitë e suksesit, historitë njerëzore të atyre që mund të jenë bërë shumë të famshëm e atyre që askush s’i njeh, por sëbashku na bëjnë krenar që jemi bashkatdhetarë të atyre”. Ky samit i Diasporës është organizuar nga kryeministri Rama, dhe do të mbahet në datat 18-20 nëntor 2016.