Krerët e 13 shteteve dhe qeverive nga Ballkani Perëndimor, Gjermania, Franca dhe Italia si vend pritës janë mbledhur sot në Trieste në kuadër të samitit të katërt që organizohet si vazhdim i procesit të Berlinit.
Liderët do të jenë të shoqëruar nga ministrat përkatës të punëve të jashtme, të ekonomisë, të transportit, ndërkohë që nga radhët e pjesëmarrjeve të rëndësishme mund të përmendet Kancelarja gjermane Merkel, Presidentit francez Macron si dhe Kryeministri italian Paolo Gentiloni. Nuk do të mungojnë gjithashtu shefja e diplomacisë së BE Federika Mogherini, Komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn si dhe Komisionerja e Transportit Violeta Vulc.
Qeveria italiane ka publikuar edhe axhendën e samitit, i cili do të paraprihet nga një takim trepalësh mes kancelares Merkel- Presidentit Macron e Kryeministrit Gentiloni që është parashikuar të zhvillohet në orën 15.00. Tema kryesore e diskutimit do të jetë kriza e emigrantëve, fokusuar më shumë në fluksin masiv të refugjatëve që nisen nga Afrika me destinacion brigjet e Italisë. Kjo mbledhje nuk ishte parashikuar në axhendën paraprake, por është radhitur pas kërkesës me ngulm të Romës zyrtare, e cila pretendon se po përballet me indiferencën e BE-së në menaxhimin e krizës së azil-kërkuesve.
Pas kësaj, pritet të bëhet takimi i parë i liderëve, ndërsa ceremonia e pritjes nga Paolo Gentiloni është parashikuar të ndodhë në orën 16:15. Pas mbërritjes së të gjithë përfaqësuesve dhe diskutimeve jo zyrtare, palët do të ulen në tryezën e bisedimeve në orën 16:40, në një mbledhje që është parashikuar të zgjasë deri në orën 18:10 të pasdites. Bisedimet pritet të konkluzohen me firmosjen e Traktatit të Komunitetit të Transportit, në një ceremoni që pritet të zhvillohet në orën 18.15.
Rezultatet e punimeve të ditës së sotme do të jepen nga kryeministri Paolo Gentiloni në një konferencë për mediat në orën 18:40, dhe pas saj, liderët do të mblidhen në një darkë pune për të përmbyllur samitin një ditor. Në bisedat mes liderëve pritet të flitet gjithashtu për krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik si dhe për një dhomë tregtie për Ballkanin me seli të përhershme në Trieste.
Samiti i Triestes është një vazhdimësi e Procesit të Berlinit, i cili ka si synim mbështetjen ekonomike për projekte rajonale që ndërlidhin ekonomitë e shteteve ballkanike me qëllim përfundimtar integrimin e plotë të tyre ne BE.