“Do të mbajmë fjalën dhe do të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan
, ndërsa vendeve të rajonit u themi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, në mbyllje të samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris. Në konferencën për gazetarë, Hollande ka thënë se shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor se si do të ndikojë te to vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur BE-në, kanë qenë të arsyeshme. “Ka qenë e rëndësishme të theksohet se vendimi i Britanisë, në asnjë mënyrë, nuk do të ndikojë në angazhimin e BE-së ndaj vendeve ballkanike, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Hollande. Ai ka theksuar se BE-ja është projekt paqeje dhe se të gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar luftën civile, nacionalizmin dhe ekstremizmin, prandaj “edhe dinë të vlerësojnë paqen”, shkruan REL. Në samitin në Paris, Serbia ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e mëtejshëm të euro-integrimit. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Kroacia ka dhënë pëlqimin për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjë të cilën e ka kundërshtuar deri më tash. Hahn po ashtu ka thënë se BE ka vendosur të sigurojë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.