Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që zhvillohet më 20 tetor në Uashington.

Kështu konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në Bruksel, duke thënë se në konsultimet me partnerët amerikanë është përmendur edhe Ballkani Perëndimor si temë e samitit.

Megjithatë, burimet diplomatike thanë se kësaj teme nuk pritet që liderët e SHBA-së dhe BE-së t’i kushtojnë shumë kohë në samit, pasi aty do të diskutohet për dy krizat më të mëdha në botë aktualisht, përkatësisht për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Po ashtu, vëmendje do të marrin edhe raportet tregtare me Kinën.

Gjithsesi, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja – situata në Bosnje e Hercegovinë dhe situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor janë tema që kërkojnë kujdesin e përbashkët të Uashingtonit dhe Brukselit.

Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në BE thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

Samiti SHBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus./REL

Artikulli paraprakBERISHA: T’I NDALOHET RAMËS NDËRHYRJA NË PUNËT E BRENDSHME TË PRISHTINËS
Artikulli tjetërSHKODËR, U KAPËN DUKE KRYER PUNIME PA LEJE, PROCEDOHEN 3 SHTETAS