Sanksionet, Moska nuk do të hakmerret. Putin: Presim Trumpin
Sergei Lavrov këmbënguli që Moska t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë masave ndëshkuese të administratës amerikane. Ministria e Jashtme ruse propozoi që për 35 diplomatët rusë të shpallur “persona non grata” në Amerikë, 35 përfaqësues të Shteteve të Bashkuara do të dëboheshin nga Rusia. Saktësisht ishte kërkuar largimi i 31 pjesëtarëve të stafit të Ambasadës amerikane në Moskë dhe 4 diplomatëve të konsullatës së SHBA-ve në Shën Pjetërburg. Por Vladimir Putin vendosi të kthejë faqen tjetër. Shefi i Kremlinit zgjodhi të mos e pranonte këtë propozim, me argumentin se Moska nuk do të ndalojë në nivelin e diplomacisë së papërgjegjshme, por do të punojë për ripërtëritjen e marrëdhënieve amerikano-ruse gjatë Presidencës së Donald Trumpit. “Nuk do të dëbojmë askënd”, ishte deklarata e tij. Më herët, përmes një mesazhi në “Tëitter” kishte reaguar edhe kryeministri i vendit, Dmitry Medvedev. “Ështe për të ardhur keq, – shkruante ai, – që administrata e Obamës, e cila e nisi mandatin me rivendosjen e marrëdhënieve tona, tani po e mbyll atë me një agoni antiruse”. Furtunës që shkaktoi qeveria amerikane me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, Donald Trump iu përgjigj me një koment të shkurtër. “Mendoj se duhet të vazhdojmë jetën e të mos merremi me hakmarrjen ndaj Rusisë”, u shpreh ai. “Kompjuterat janë ata që po na i bëjnë gjërat të vështira. E gjithë kjo epokë e kompjuterave ka krijuar një situatë, ku askush nuk e di më me saktësi se çfarë po ndodh”. 35 diplomatë rusë u shpallën “persona non grata” e iu dhanë 72 orë afat për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy komplekse ndërtesash në Maryland dhe në New York, të përdorura nga personeli rus për aktivitete të shërbimeve të fshehta, do të mbyllen. Hyrja në kompleksin e ndërtesave do t’iu ndalohet të gjithë diplomatëve rusë, duke nisur nga pasditja e së premtes. Sanksionet e Uashingtonit i drejtohen shërbimit ushtarak rus “GRU” dhe atij të fshehtë të brendshëm “FSB”, të cilat Amerika i akuzon si përgjegjëse për sulmet ndaj kompjuterave të organizatave politike. Masat e marra prej Obamës janë një dekret presidencial, të cilin Trumpi mund ta anulojë pas ardhjes në pushtet më 20 janar.