Kryetari i sindikatës së punonjësve të universitetit të Shkodrës Peter Saraçi i ka kthyer një përgjigje rektores së këtij universiteti Suzana Golemi lidhur me deklaratën e kësaj të fundit e cila tha se Saraçi është një kryetar i vetëm që nuk ka mbështetjen e pedagogëve të tjerë për protestën që ka nisur kjo sindikatë. Saraçi u shpreh se po të mos ishte i ligjshëm nuk do të ishte pritur nga ministrja e arsimit në takim ndërsa ftoi rektoren të firmosë peticionin për kërkesat që kanë.
Mbi 80% e punonjësve të universitetit të Shkodrës, mes të cilëve rreth 140 pedagog nga afro 190 që ka në total ky universitet kanë firmosur peticionin me nëntë kërkesat e sindikatës ndërsa deri më tani në këtë sindikatë të sapoformuar nga Shkodra janë rreth 80 të antarësuar, që të gjithë pedagogë dhe punonjës të universitetit.
Lidhur me pretendimin e rektores Golemi se këto kërkesa që kanë sot sindikata ia shtruar në konferencën e rektorëve, Saraçi u shpreh se ato pika kanë rënë poshtë të gjitha pas takimit me ministren e arsimit.
Kreu i sindikatës thotë se bojkoti me 17 tetor, ditën kur pritet të nisë procesin mësimor universiteti është i pandalshëm në rast se nëntë kërkesat e kërkuara nuk realizohen plotësisht.
Pedagogët përveç rritjes së pagës për të gjithë punonjësit e universiteteve kërkojnë edhe miratimin e disa pikave të tjera që lidhen me kushtet, transparencën dhe zhvillimin e arsimit të lartë.