Dhjetëra mijëra mbështetës të lëvizjes antipopuliste “Sardelet” protestuan në qytetin italian të Bolonjës kundër dhunës dhe fashizmit që sipas tyre po tenton të sjellë në rajon partia “Lidhja” e Mateo Salvinit.
Një javë nga zgjedhjet rajonale në rajonin e Emilia Romanjës, mijëra qytetarë kanë bërë thirrje kundër populizmit që po sjell partia “Lidhja” e Mateo Salvinit.
Aktivistë të lëvizjes civile “Sardelet” e përqendruan aksionin në qytetin verior të Bolonjës, ku të dielën do zhvillohet ndeshja e radhës për t’i dhënë fund hegjemonisë 75-vjeçare të të majtëve në rajon.
Lëvizja e formuar nëntorin e kaluar synon të shërbejë si kundërpeshë ndaj mesazheve përçarëse të ultradjathtistit Salvini, i cili po përdor pështjellimin popullor për të fituar pikë me tema si emigrantët, taksat e larta dhe mungesa e sigurisë në vend.
“Ne po mbushim sheshet, po i tregojmë politikës një mënyrë tjetër të të vepruarit, duke vënë theksin te temat shumë të rëndësishme kulturore dhe sociale, antifashiste dhe antiraciste, tema këto që kishin dalë nga moda,” shprehet Matia Santori, një nga katër themeluesit e lëvizjes “Sardelet”.
Sondazhet e fundit në rajon nxjerrin me rezultate të barabarta kandidatës e lidhjes dhe ata demokratë.
“Kokën lart, Emilia-Romanja, kokën lart, me kurajë, me krenari, me vlerat e punës, familjes dhe respektit, le të ngrihemi për fitore dhe ta çojmë në shtëpi Partinë Demokratike një herë e përgjithmonë,” deklaroi në fundjavë Salvini para turmës së mijëra simpatizantëve.
Ish-ministri i mbrojtjes po përballet edhe me akuzën se refuzoi për të lejuar zbarkimin në vend të 131 emigrantëve të shpëtuar në det në muajin korrik.
Nëse parlamenti voton për ta dërguar çështjen në gjykatë, rivalët e tij thonë se mund ta përdorë rastin politikisht për ta portretizuar veten si viktimë, por sipas ligjit një dënim i mundshëm gjithashtu do e largonte atë nga skena politike.