Seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurit e tjerë, të akuzuar për aferën korruptive të dosjes së kompleksit “Partizani” u shty për në datën 16 dhjetor ora 11:00.

Avokati Genc Gjokutaj: Seanca është shtyrë për në datën 16 dhjetor. Doja të bëja me dije se jemi njoftuar se gjykata e Strasburgut, ka kaluar në fazën e debatit çështjen e Berishës, e ka cilësuar çështje prioritare dhe i ka drejtuar pyetje shtetit shqiptar për veprimet gjyqësore. Janë të gjitha ankimet që kemi bërë, masat, antikushtetuesmëria, mungesa e proporcionalitetit, ndërprerja e aktivitetet të tij si kreu i opozitës apo si deputet. Strasburgu ka ecur me një shpejtësi. Shkresa i ka ardhur shtetit shqiptar, më pas do merret një vendim.

Vendimi për kalimin ose jo për gjykim të dosjes së privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’ me të akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin dhe 3 të tjerë, do të shqyrtohet sot nga gjyqtarja Flojera Davidhi.

Seancën e 24 tetorit gjyqtarja Flojera Davidhi, pranoi kërkesën e mbrojtjes për ta shtyrë shqyrtimin me qëllim që t’i jepej kohë palës mbrojtëse për tu njohur me dosjen.

Bëhet fjalë për 333 fashikuj, me 160 mijë faqe. Pas katër vitesh hetime për aferën Partizani, SPAK dërgoi dosjen me 5 të pandehur në GJKKO, ku kërkon nisjen e gjykimit.

Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash.

Artikulli paraprakKONSULTIMI ME BEGAJN, PS SUGJERON 11 MAJIN PËR ZGJEDHJET PARLAMENTARE: TË KETË MË SHUMË KOHË PËR VOTËN E DIASPORËS
Artikulli tjetërGRETA BARDELI: ASNJË JUSTIFIKIM PËR DHUNËN NDAJ GRAVE