Ish deputetja e PD Albana Vokshi me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se duhet të bëhet transparencë për hetimin e nisur nga SPAK ndaj pronarit të ORA NEWS, Ylli Ndroqi.

Vokshi shprehet se duhet një transparencë e plotë për rastin, ndërsa shton se mund të kemi edhe cenim të lirisë së medias.

Postimi i Albana Vokshit:

Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje njoftimin e Prokurorisë së Posaçme për hetimin pasuror ndaj pronarit të grupit mediatik ORA z. Ylli Ndroqi.

Duke mbështetur çdo hetim, ndaj cilido, pa asnjë dallim dhe duke nxitur barazinë e plotë përpara ligjit, Partia Demokratike apelon për transparencë të plotë mbi këtë hetim, duke qenë se mund të vihet në rrezik serioz liria e medias.

Pretendimet e avokatëve mbrojtës për një sulm politik ndaj klientit të tyre janë shqetësuese dhe kërkojnë shqyrtim serioz.

Shpejtësia e hetimit prej vetëm prej 7 ditësh, nga nisja e hetimit deri në paraqitjen e kërkesës në gjykatë për sekuestrimin e disa mediave, vlen gjithashtu të sqarohet.

Dërgimi i forcave policore për të rrethuar RTV Ora dhe Ora News, duke ushtruar presion psikologjik mbi gazetarët dhe stafin hedh hije të forta dyshimi për mënyrën sesi u veprua, kohën kur u veprua dhe arsyet pse u veprua tani.

Partia Demokratike është në mbështetje të plotë të gazetarëve dhe stafit të RTV ORA dhe Ora News, duke i inkurajuar të vijojnë të palëkundur misionin e tyre në shërbim të publikut dhe interesit të qytetarëve.

Artikulli paraprakNGA AI PËR TAKSAT VENDORE TEK BASHKËPUNIMI FINANCIAR USHTARAK ME TURQINË, PRESIDENTI META DEKRETON 3 LIGJE
Artikulli tjetërHAPET TENDERI! 1.7 MLD LEKË PËR TRANSFORMIMIN E PIRAMIDËS NË TIRANË…KOMPANITË AFAT DERI MË 2 SHTATOR