Policia vendore e Shkodrës ka sekuestruar 204 kilogram lëndë narkotike e dyshuar si Marijuanë ndërsa është arrestuar edhe një person i dyshuar se ka lidhje me sasinë e drogës të sekuestruar. Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Liqeni” duke goditur kështu një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike drejt Malit të Zi.
Policia vendore e Shkodrës në njoftimin e saj përveç sekuestrimit të 204 kilogramëve e dyshuar si marijuanë ka arrestuar në flagrancë një shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Policia e Shkodrës në operacionin “Liqeni” ka arrestuar shtetasin Marjan Kurteza, 33 vjeç banues në fshatin Shtoj të njësisë Rrethina.
Ky shtetas dyshohet për veprat penale “trafikim të narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë dhe “prodhim e shitjes së narkotikëve kryer në bashkëpunim”. Policia ka shpallur në kërkim shtetasin D. 35 vjeç, banues në Shkodër.
Në bazë të informacioneve policore dhe punës operative policore të bërë në lidhje me një grup kriminal që kryenin organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (Marijuanë) nga qyteti i Shkodrës në drejtim të Malit të Zi, në orët e para të mëngjezit të 1 majit është marrë informacion se dy shtetas po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.
Mbi bazën e këtyre informacioneve është zhvilluar operacioni i koduar “Liqeni”. Si rezultat në breg të liqenit Shkodër në Vrakë të Malësisë së Madhe u bë kapja në flagrancë e shtetasit Marjan Kurteza si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. B. Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 204 kg Marijuanë, 2 mjete një tip Land Rover dhe një mjet tip Mercedes Benz , 4 telefona celularë, si dhe mjete që i përdornin për paketim e lëndës narkotike.
Sasia e drogës së sekuestruar ndodhej në një fouristradë tip Land Rover, sasi e gatshme për tu trafikuar drejt Malit të Zi përmes liqenit të Shkodrës. Policia dyshon se shtetasi i shpallur në kërkim me inicialet D.B është autori kryesor ndërsa shtetasi i arrestuar
Marjan Kurteza dyshohet si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Policia vijon operacionin për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim D.B dhe vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.