Sekuestrohen dy gomone në Vlorë, dyshohet se do përdoreshin për trafik droge

Policia ka sekuestruar dy mjete lundruese në Vlorë të cilat dyshohet se do të përdoreshin për trafik droge drejt Italisë. Policia e Shtetit njofton se dy gomonet u sekuestruan gjatë një operacioni të koduar “Stuhia”, për të parandaluar kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike. 1– Më datë 15.05.2017, rreth orës 11:00, në lagjen “11 Janari” brenda në një ish-magazinë pranë zonës së quajtur “Pusi i Mezinit”, është konstatuar një mjet lundrues tip “Gomone” me gjatësi 7.8 m dhe gjërësi 2.9 m, me 2 motora të markës “Merkuri” dhe “Suzuki”. Materialet u referuan në Prokurorinë e Shkallës së Parë Vlorë ndaj shtetasit K.Xh., për veprat penale “Mosdeklarimi i zotërimit dhe mbajtjes” dhe “Mungesa e matrikullimit ose regjistrimit”, parashikuar në nenet 23 dhe 24, pika 1 e ligjit 8663, viti 2000 për mjetet lundruese. 2– Më datë 15.05.2017, rreth orës 13:00, në zonën e Dhërmiut, rreth 2.5 milje larg bregut të detit, është konstatuar një mjet lundrues tip “Skaf plastik”, me gjatësi 6 m dhe gjërësi 2.1 m, me 1 motor të markës “Yamaha”, i cili u gjet i ndezur por pa persona në bord. Materialet u referuan në Prokurorinë e Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Mungesa e matrikullimit ose regjistrimit”, neni 24, pika 1 e ligjit 8663, viti 2000 për mjetet lundruese. Nga hetimet e përbashkëta, dyshohet se dy mjetet lundruese mund të përdoreshin për trafikimin e lëndëve narkotike me destinacion drejt shtetit italian. Vijojnë kontrollet e territorit tokësor dhe ujor me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve përgjegjës në lidhje me këtë veprimtari kriminale.

Artikulli paraprakLAÇI-VLLAZNIA 3-0, SHKODRANËT NË RREZIK PËR MBIJETESËN
Artikulli tjetërI GJENDEN 30.000 EURO € DROGË NË BANESË, ARRESTOHET TRAFIKANTI SHQIPTAR