Janinë, 4 arrestime, sekuestrohen më shumë se 100 kg kanabis shqiptar

Shërbimi i antidrogës në Janinë ka njoftuar për dy operacione të njëpasnjëshme, ku janë sekuestruar më shumë se 100 kg kanabis i importuar nga Shqipëria, dhe janë vënë nën pranga katër persona, dy shqiptarë, një grek dhe një shtetase gjeorgjiane. Operacioni i parë është zhvilluar në vendin e quajtur Terovo, në autostradën “Joniane”. Aty u ndalua për kontroll një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar, 41 vjeç. Në portbagazhin e makinës u gjetën 3 çanta udhëtimi me 51 kg kanabis, të ambalazhuar në 14 paketa.Policia arrestoi drejtuesin e mjetit si dhe bashkëudhëtarin e tij, me moshë 36 vjeç. Në operacionin tjetër, u arrestua një shtetas grek me moshë 47 vjeç dhe një 31 vjeçare, shtetase gjeorgjiane.Makina e tyre po lëvizte në hyrje të Janinës, në rrugën që vjen nga kufiri me Shqipërinë. Drejtuesi i mjetit nuk iu përgjigj sinjalit të policisë për të ndaluar, por rriti shpejtësinë dhe bëri manovra të rrezikshme për t’iu shmangur ndjekjes. Përfundimisht ata ndaluan në rrugën Janinë-Kozani, afër liqenit të Janinës. Me ndihmën e qenit të zbulimit të drogës, policia gjeti një sasi kanabisi prej 52,3 kilogramë, që ata e kishin fshehur në një zonë me shkurre pranë vendit të arrestimit. Ashtu si dhe dy shtetasit shqiptarë, edhe këta u dërguan në prokurori, të akuzuar për transport, posedim dhe trafik droge.

Artikulli paraprakKULT – NIKOL TUKAJ, DORINA GJOKA SARAÇI
Artikulli tjetërNJË TJETËR I ARRESTUAR PËR SULMET NË BARCELONË