Një grup studentësh, seminaristë katolikë të Milanos vizitojnë xhaminë e Parrucës
Ditën e enjte, më 17.08.2017 dhe ditën premte, më 25 .08.2017 në ambientet e xhamisë së Parrucës përfaqësuesit e Myftinisë Shkodër, teologët Arben Halluni dhe Lavdrim Hamja pritën një grup studentësh, seminaristë katolikë të Milanos, nën drejtimin e Don Maurizio Cacciola dhe të disa priftërinjve nga Italia. Qëllimi i vizitës së tyre ishte për të njohur nga afër Islamin, aktivitetet e Myftinisë, rreth riteve fetare që kryhen në xhami, harmoninë, tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare në Shkodër etj. Teologu Halluni pasi i falënderoi miqtë për vizitën e tyre në xhami, bëri një përmbledhje të shkurtër rreth Islamit dhe adhurimeve të tij. Në bisedën e ngrohtë me miqtë e ardhur nga Milanoja e Italisë, tha se qyteti i Shkodrës quhet ndryshe me krenari edhe qyteti i harmonisë dhe i tolerancës, për faktin se kjo vlerë e madhe e popullit shqiptar preket kudo: në familje, shoqëri, në mes besimtarëve pa dallim feje, në mes të drejtuesve fetarë etj. Ndër tët tjera, teologu Halluni u shpreh se është amanet nga të parët tanë dhe për më tepër të udhëzuar nga mësimet islame, që ta ruajmë dhe promovojmë sa më shumë këtë harmoni dhe mirëkuptim ndërfetar që e përjeton Shkodra dhe mbarë Shqipëria. Gjatë bashkëbisedimit u bënë edhe pyetje nga studentët seminaristë rreth ritit të namazit dhe lutjes islame, rolin e xhamisë, misionin e imamit etj. Sikurse u bashkëbisedua për vizitat reciproke midis përfaqësuesve të bashkësive fetare në vendet respektive me synim të forcimit të lidhjeve miqësore midis tyre dhe bashkëpunimit për çështje të ndryshme si sociale, kulturore, etj. Vizitat e seminaristëve katolikë nga Italia dhe shtete të tjera të Evropës në institucionet fetare të Shkodrës do të zhvillohen edhe në të ardhmen, duke u parë nga vizitorët e huaj si vend për t’u marrë shembull konkret i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare të ruajtur e kultivuar ndër shekuj.