Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka mirëpritur në Tiranë senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët kishin në fokus forcimin e marrëdhënieve amerikane me demokracinë. Teksa citon senatorin Murphy që thotë se SHBA s’ka mik më të mirë se Shqipëria, shton se bashkëpunimi është më i rëndësishëm se kurrë.

“Është kënaqësi të kesh senatorë Chris Murphy dhe Gary Peters në Shqipëri për të forcuar marrëdhëniet amerikane me demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Siç tha senatori Murphy, “SHBA nuk ka mik më të mirë në botë se Shqipëria”.

Si aleatë të NATO-s dhe anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bashkëpunimi ynë për çështjet rajonale dhe globale nga mbështetja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, te refuzimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, te largimi i miqve afganë nga rreziku, te forcimi i mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike, është më e rëndësishme se kurrë”, shkroi Kim. Gjatë vizitës së tyre, senatorët u takuan me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe deputetë. Ata u takuan gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, si dhe me të evakuuar afganë në Shqipëri. Delegacioni pati mundësinë të vizitojë edhe kalanë historike të Prezës.

Artikulli paraprakLOJËRAT OLIMPIKE ‘PARIS 2024’, FRANCA NIS PËRGATITJET!
Artikulli tjetërSENATORËT AMERIKANË VIZITË NË TIRANË, BARDHI: ISHTE KËNAQËSI, PARTNERITETI SHBA DHE PD ËSHTË JETIK