Të rinjtë e shkollës së mesme “28 Nëntori” në Shkodër janë bërë pjesë e një trajnimi në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Ky trajnim u zhvillua nga Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, sektori i promocionit. Qëllimi i këtij takimi me të rinjtë është sensibilizimi dhe ndryshimi i mentalitetit për të shmangur rastet e dhunës që në fakt janë gjithnjë e në rritje.
Të rinjtë e pranishëm në këtë takim për sensibilizimin kundër dhunës në familje morën mesazhe të rëndësishme. Këpucët e kuqe simbolizonin gratë dhe vajzat e vrara. Pjesë e trajnimit ishte edhe psikologia Megi Lazri e cila e quajti dramatike faktin se ende sot ka raste të vrasjeve të grave dhe vajzave.
Ndërkohë Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor ka organizuar disa aktivitete që synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë kundër dhunës në familje si dhe edukimin e brezave që në moshë të re duke përfshirë kështu edhe shkollat e mesme.