Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, efektivët e policisë së Tiranës u kanë shpërndarë drejtuesve të automjeteve në zona të ndryshme të kryeqytetit,
broshura sensibilizuese me qëllim përcjelljen e mesazheve mbi pasojat e përdorimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.
Shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës Erion Ahmeti gjatë një prononcimi është shprehur:
“Përveç masave represive që Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore ka ndërmarrë gjatë gjithë kohës, sidomos fundjavave për ndëshkimin e atyre kundravajtjeve që janë rrezik i shtuar për jetën dhe shëndetin e shtetasve,
siç është përdorimi i alkoolit ose ecja me shpejtësi, gjatë gjithë ditës së sotme është zhvilluar edhe një fushatë sensibilizuese me drejtuesit e mjeteve, jo vetëm për ata që janë drejtues mjetesh, banorë të Republikës të Shqipërisë, por edhe ata që vijnë nga shtetet e tjera për të kryer pushimet.
Në lidhje me sensibilizimin dhe me parandalimin e ngjarjeve rrugore, janë shpërndarë fletëpalosje në bashkëpunim dhe me shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore, jo vetëm Policia Rrugore, për një sensibilizim më të qartë të drejtuesve të mjeteve gjatë sezonit turistik.
Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore, për shkak të këtyre masave represive të marra gjatë gjithë kohës, ka bërë të mundur uljen e një numri të konsiderueshëm të ngjarjeve rrugore me pasojë jetën e shtetasve, por edhe atyre me dëme materiale”.
Thuaji JO alkoolit gjatë drejtimit të mjetit, për një udhëtim sa më të sigurt.