Serbia bllok interkonjeksionit Gjiknuri: Ndihmë te Merkeli

Gjatë konferencës ku OST dhe KFW firmosën financimin e linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni, ministri i Energjisë, Gjinkuri deklaroi se qeveria do të kërkojë ndihmën e Gjermanisë për të zgjidhur krizën, pasi Serbia po bllokon vënien ne punë të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Linja me Kosovën kushtoi 42 milionë euro, por edhe pse ka përfunduar prej disa muajsh ajo nuk funksionon, pasi Serbia nuk njeh Operatorin e Transmetimit të Kosovës. “Një nga investimet e rëndësishme ka qenë linja me Kosovën dhe kfW ka qenë një pioner e mbështetjes për forcimin e rrjetit elektroenergjitik. Për arsye politike kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim megjithë lobingun e përpjekjet tona. Përfitoj nga rasti dhe jam i sigurtë se edhe kryeministri Rama do ta trajtojë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, sepse na duhet që ky proces të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale. Bllokimi dëmton marrëdhëniet por mbi të gjitha dëmton integrimin e rrjetit energjitik siç dëshiron edhe vet Bashkimi Evropian”, u shpreh ministri Gjiknuri. Duke ju referuar linjës me Maqedoninë, ai tha se do të jetë një gur kilometrik për formimin e tregut energjitik. “Shqipëria po bën hapat e saja për krijimin e Bursës së Energjisë dhe liberalizimin e tregut por pa investime konkrete mbeten në letër. Jam i lumtur se progresi në sektor me mbledhjen e faturave, reduktimin e faturave, formalizimin e sektorit dhe ndërmarrjen e reformave ka bërë të mundur që të shtohen investimet”, theksoi Gjiknuri. Ambasadorja gjermane deklaroi se sektori energjitik është një nga sektorët kyc të bashkëpunimit Financiar Gjermano-Shqiptar, për të cilin Qeveria Gjermane ka angazhuar më shumë se 270 milionë euro, që nga viti 1998. “Për momentin, KfW siguron financime për një gamë të gjërë projektesh, duke perfshirë këtu linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, linjën e transmetimit 400 KV midis Shqipërisë dhe Kosovës, linjën unazore 110 kV në jug të Shqipërisë, masa të lidhura me eficencën e energjisë në ndërtesat publike, rehabilitim efiçent nga ana e energjisë të konvikteve studentore të Qytetit Studenti I dhe II”, u shpreh ajo.

Artikulli paraprakDHUNA NE FAMILJE,DENONCOHEN KATER RASTE NE DITE
Artikulli tjetërFRIKA PER FLUKS KLANDESTINESH,POLICIA MAQEDONASE BLINDON KUFIRIN ME KOSOVEN