Serbia e dyta në botë për armë ilegale. Në botë vetëm shtetasit e SHBA kanë më shumë armë se qytetarët e Serbisë.

Me dekada të tëra Serbia është e paaftë për ta zgjidhur këtë problem. Askush nuk e di sa ka armë ilegale në duart e qytetarëve të Serbisë. Autoritetet thonë se shifrat mund të jenë prej 200.000 – 900.000 pistoleta, pushkë, bomba, zolja… Ndërsa ekspertët vlerësojnë se në duart e qytetarëve janë rreth një milionë armë ilegale, sa ka edhe armë me leje. Ndërkohë që rreth një milionë armë ka policia dhe shërbimet private të sigurisë. Kjo do të thotë se çdo i dyti person i rritur në Serbi ka qasje tek armët e zjarrit. Revistat e huaja e vendosin Serbinë në vendin e dytë në botë, për nga numri i armëve në duart e qytetarëve, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka dilemë që numri më i madh i armëve ka ardhur në Serbi gjatë kohës së luftërave ne vitet 90-të. Armët thjesht janë marrë nga kazermat e Armatës Popullore të Jugosllavisë apo nga njësitë paramilitare. Në kohërat e gjakderdhjeve, askush nuk është kujdesur për regjistrimin e armëve. Të gjitha këto armë mund të përdoren, thotë Predrag Petroviq, drejtor i Qendrës për Politikë të Sigurisë. Por edhe pas luftës janë marrë armë nga magazinat e policisë dhe ushtrisë. Për shembull, gjatë protestave të opozitës me 5 tetor, kur është rrëzuar regjimi i Millosheviqit, nga një stacion i policisë në Stari Grad janë marrë 500 copë armë, të cilat kanë përfunuar në duart e klanit të Zemunit, i cili më pas është akuzuar për vrasjen e ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq. Gjëra të tilla kanë ndodhur edhe më vonë, sepse në një kontroll të rregullt në nëntor në kazermën e ushtrisë në Ostruzhnicë është konstatuar se mungojnë 70 pistoleta, 5 pushkë dhe dy kontejnerë me municion. Përveç kësaj, Ballkani konsiderohet si bazë e kontrabandimit të shumë gjërave, ku nuk përjashtohen as armët. Armët e shitura më së shumti shkojnë në drejtim të Evropës Perëndimore për shkak të çmimeve më të larta, thotë Petroviq. Këtu pistoleta mund të blehet në tregun ilegal për 100 – 150 euro, ndërsa në Perëndim shitet për më shumë se 1.000 euro, që do të thotë se përfitimi është shumë i madh. “Ka pasur edhe raste kur ata që punojnë në vendet tjera kanë marrë me vete nga 2-3 armë dhe kështu fitojnë disa mijëra euro.” Armët e shitura ilegalisht përfundojnë zakonisht në duart e kriminelëve dhe madje terroristëve. Serbia në katër vitet e kaluara ka shitur armë të kalibrit kryesisht të vogël në Lindjen e Mesme në vlerë prej 194 milionë euro. Këto armë janë prezantuar edhe në lajmet e mediave botërore. Ato mund të shihen në fotografitë e xhihadistëve. Disa kallashnjikovë të prodhimit të vjetër në Zastavën e Kragujevcit janë përdorur edhe gjatë sulmeve terroriste në Paris, ku janë vrarë 130 persona. Këtu është gjetur edhe një pistoletë gjysmëautomatike “Zastava M92″, e cila para tre vitesh i është shitur firmës amerikane Century Arms.

Artikulli paraprakVRITEN ATENTATORËT E PARISIT DHE BRUKSELIT
Artikulli tjetërVDEKJA E QINDRA EMIGRANTËVE,18 VITE BURG PËR PËRGJEGJËSIT