Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të martën se vendimi i Qeverisë serbe për t’i lejuar automjetet me targa të Kosovës, RKS, të lëvizin brenda territorit të saj nga 1 janari është tregues se “të gjitha destabilizimet” që i ka bërë Serbia në lidhje me to ndër vite kanë qenë “të palogjikshme dhe të panevojshme”.
“Çështja e targave mbi 10 vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vjet marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”, shkroi Bislimi në profilin e vet zyrtar në rrjetin social Facebook.
Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë njoftoi se mori vendim për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë nga muaji i ardhshëm. Nuk është e qartë nëse targat e veturave nuk do të mbulohen më me letra ngjitëse kur ta kalojnë kufirin – siç ndodh aktualisht. Për një gjë të tillë, Serbia ishte pajtuar me marrëveshjen e vitit 2011, të arritur mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar të Kosovës”, theksoi Bislimi.
Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjatë, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve. Vendimi i Beogradit u mirëprit nga Bashkimi Evropian të martën, i cili e cilësoi atë si hap pozitiv drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.