Kosova humb miliona euro në vit për shkak të moszbatimit të marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

E njëjta marrëveshje ishte konfirmuar më pas nga të dy kryeministrat, i Kosovës dhe ai Serbisë, në gusht të vitit 2015, kur kishin rinegociuar dhe ishin dakorduar për zbatimin e saj. Si rezultat i moszbatimit të marrëveshjes, Zana Bajrami-Rama, zyrtare në Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), thotë se Kosova humb rreth 10 milionë euro në vit. “Operatori i Sistemit të Serbisë (“Elektro Mreza Srbije”- EMS) vazhdon që të mbledhë të hyrat e alokimit të kapaciteteve për linjat kufitare të Kosovës me shtetet fqinje”.

“Vetëm nga janari e deri në tetor të këtij viti, vlerësohet që operatori serb EMS, ka përfituar nga alokimi i kapaciteteve të linjave kufitare të Kosovës me shtetet fqinje dhe nga kongjestionet, mbi 9.5 milionë euro. Për çdo vit ka përfitime nga të hyrat nga alokimi i kapaciteteve”, thotë Rama për Radion Evropa e Lirë. Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se humbjet nga bllokada e Serbisë, arrijnë mbi 17 milionë euro, përfshirë këtu edhe humbjet nga mosfunksionalizimi i Linjës së Interkoneksionit Kosovë – Shqipëri, e cila është gati, por nuk ka mundur të aktivizohet për shkak të bllokadës që i ka shkaktuar Serbia.

“Janë nga 10 deri në 15 milionë euro në vit, pa përfshirë edhe transmisionin me Shqipërinë, i cili nuk është futur në funksion pikërisht për këtë arsye. Pra, në përgjithësi janë mbi 17 milionë euro, që Serbia i inkason në emër të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2018”, thotë Lluka. Ministri Lluka shton se Qeveria e Kosovës do të kërkojë kompensimin e këtyre mjeteve gjatë negociatave të ardhshme që do zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në të kundërtën, thotë ai, këtë problem do ta paraqesin edhe në Arbitrazh. “Derisa kontrata është e nënshkruar nga pala serbe dhe Kosova, atëherë është obligim që të respektohet, prandaj Serbia e ka obligim dhe duhet t’i kompensojë këto humbje në çfarëdo forme, qoftë përmes arbitrazhit, apo qoftë përmes negociatave”, vlerëson Lluka.

Edhe në marrëveshjen e vitit 2013, thuhet se nëse nuk do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e përbashkët brenda 6 muajve, të dyja palët bien dakord t’i paraqesin këto pretendime para arbitrazhit ndërkombëtar. Ndryshe, gjatë negociatave Kosovë – Serbi është përcaktuar që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, (KOSTT) dhe Operatori i Sistemit të Serbisë ( EMS) të fillojnë operimin si dy zona rregulluese të pavarura në përputhje me kërkesat e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Po ashtu, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja për Kyçje të Sistemit Energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Në bazë kësaj marrëveshjeje, thuhet se pavarësimi i KOSTT-it lejohet pas krijimit të një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe, dhe do të jetë në gjendje të blejë dhe të shesë energji në tregun e hapur.

Por, kjo kompani ende nuk është regjistruar dhe licencuar në institucionet kompetente të Kosovës, thotë Zana Bajrami- Rama, çka po e pamundëson zbatimin e marrëveshjes. “Pavarësisht që KOSTT-i i ka plotësuar të gjitha parakushtet teknike dhe operative në pajtim me kërkesat e Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO-E) për të funksionuar si zonë rregulluese në bazë të Marrëveshjes për kyçje, kjo marrëveshje ende nuk ka hyrë në fuqi për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme të Serbisë në implementimin e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Bajrami Rama.

Ndryshe, çështja e energjisë është aktualizuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin kërkohet të ndërpritet faturimi i energjisë së shpenzuar nga konsumatorët e komunave veriore, konsumatorëve të rajoneve tjera të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, thuhet se qytetarët e këtyre pjesëve kanë shpenzuar 8 milionë euro në vit, kurse këtë vlerë e kanë paguar konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës. Edhe për këtë problem, Qeveria e Kosovës, pretendon që në negociatat e ardhshme me Qeverinë e Serbisë në Bruksel, të kërkojë kompensimin e mjeteve materiale nga faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Artikulli paraprakSHPËRTHIM I FUQISHËM NË NJË FABRIKË
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT