“Duket utopiane, e di”, thotë Daniel Haime, teksa qëndron mbi hartën e Serena del Mar, qytetit që po ndërton në Detin Karaibean.
Ai ka në plan të transformojë një territor prej më shumë se 1000 hektarësh, (në dalje të Kartagjenës, në Kolumbi, të blerë nga familja e tij në vitin 1968) në një metropol plot gjallëri ku lojtarët e pasur të golfit do të jetojnë me emigrantët e varfër.
Do të ketë spitale moderne, shtëpi për familje me pak të ardhura dhe shkolla shtetërore. Do të ketë një mol për varka, korsì biçikletash, një hotel luksoz dhe restorante buzë detit. Një ditë, “vaporetët”, tragetet e vegjël autobusë, mund ta lidhin Serena Del Mar me qendrën e qytetit të Kartagjenës.
Kjo duket si kohë e mbarë për të ndërtuar një qytet në Kolumbi. Në vitin 2016, qeveria dhe grupi rebel FARC nënshkruan një marrëveshje paqeje që i dha fund një konflikti 50-vjeçar. Ekonomia është gjallëruar nga një optimizëm i kujdesshëm. Bogota dhe Medellin, dy qendrat më të mëdha, janë bërë qytete model për stilin urban dhe “smart”.
Por jo Kartagjena. Mund të jetë vërtet një nga qytetet me rritjen më të shpejtë, por, sipas Nikolas Galarza Sançez, një studiues në “Institutin Marron për Menaxhim Urban” të Universitetit të Nju Jorkut, është gjithashtu një shembull se si nuk duhet të zgjerohet një zonë urbane.
Është zgjeruar në një mënyrë tipike për Amerikën e Jugut: pallate të larta për të pasurit, të ndërtuara buzë detit, dhe lagjet e të varfërve, të cilët kanë ngritur ndërtesa të shëmtuara dhe informale në zona ku shpesh ka përmbytje.
Galarza dhe kolegët e tij po punojnë me qeverinë kolumbiane që të menaxhohet rritja e popullsisë në 100 qytete të ndryshme nëpër të gjithë vendin. Serena Del Mar ndodhet rreth 11 kilometra më larg, përgjatë bregut, dhe po zhvillohet privatisht nga kompania e Haimes, “Novus Civitas”. Ai planifikon të mbulojë një pjesë të rritjes së qytetit.
Pas 30 vitesh mund të ketë rreth 100,000 banorë. Plani bazë (Masterplani) është skicuar nga EDSA, një firmë amerikane që përqendrohet shumë te ndërtimet e gjelbra. Dizenjot e tyre përballen me dy sfida të mëdha: qyteti duhet të përballojë edhe rritjen e shpejtë të popullsisë, edhe ndryshimet klimatike.
Shumica e qyteteve të zhvilluara së fundmi nëpër botë bazohen te idetë e La Korbusierit, i cili mbështeste shembjen e qendrave historike dhe zëvendësimin e tyre me super-blloqe pallatesh të rrethuara nga gjelbërimi, ose “kulla në park”, pa i kushtuar shumë vëmendje ndryshimeve në mjedis.
Vizioni i Haimes është për një qytet të gjelbër, ku dizenjoja udhëhiqet nga natyra. Ai është frymëzuar nga veprat e Ian McHarg, arkitekt skocez dhe një nga pionierët e ndërtimit ekologjik, që në vitet 1960.
Mes arkitektëve për Serena del Mar është edhe Brandon Haw, firma e të cilit merret me katër ndërtesa, përfshi një shkollë biznesi për Universitetin e Andesit. “Ajo që na mëson historia”, thotë ai, “nuk është stili, por mënyra se si njerëzit i organizonin qytetet dikur, në mënyrë që të zbuteshin kushtet e klimës.”
Ashtu si në qytetin e vjetër të Kartagjenës, ku rrugët kanalizonin erën dhe shtëpitë ndërtoheshin pas oborresh me pemë, edhe universiteti kap flladet e veriut dhe i shtyn si hinkë drejt një rezervuari dekorativ në qendër, i cili pastaj ndihmon që të freskohet hapësira. Fletët vertikale, ndryshimi modern që po u bëhet fletëve horizontale të grilave koloniale, që u vendoseshin dritareve, e mbrojnë fasadën nga drita e diellit.
Qendra tregtare e qytetit do të ndërtohet rreth një kanali me përrenj që zgjaten përmes zonave të banuara. Tre të katërtat e zonës do të përbëhen nga parqe, lumenj të mbrojtur, bimë rizofore (bimë që zhvillojnë rrënjë si degë të forta në ujë, aty ku trupi ujor lidhet me bregun, duke ndihmuar shumë kundër përmbytjeve), dhe me pemë Samani, (pemë me kurorë shumë të madhe, që rriten në Amerikën e Jugut).
Kanalet do të jenë të hapur, që uji i detit të freskojë rizoforet. Kur të bjerë shi, uji do të kalojë përmes luginave, të cilat nuk janë të përshtatshme për të ndërtuar shtëpi, por të shkëlqyera për fusha golfi, pasi vaditja e përhershme i mban fushat gjithnjë të gjelbra. Themelet e ndërtesave do të jenë përmbi nivelin e detit, që të mbrohen nga rritja e nivelit të ujit në të ardhmen.
Dhe meqë pabarazia e të ardhurave ekonomike është shumë e lartë në Kolumbi, ajo që e bën këtë projekt më të pazakontë se të tjerët është ndjeshmëria e planifikuesit ndaj problemeve shoqërore. Ashtu siç ndodh në qytetet e tjera të Kolumbisë, edhe në Kartagjenë po shpërngulen banorë që duan t’i shpëtojnë dhunës së lartë në zonat rurale. Disa dekada më parë, një grup refugjatësh nga zonat e largëta të vendit, u vendosën për të jetuar në një plazh që tani është pjesë e Serena Del Marit.
Pronarët e tokës kanë një detyrim ligjor që të bien dakord me ata që banojnë në tokën e tyre për mënyrën se si do të zhvillohet zona, një ligj që shpeshherë është mënjanuar. Por pasi e nënshkroi marrëveshjen në prani të zyrtarëve shtetërorë, Haime premtoi se Serena Del Mar do të kishte shtëpi, shkolla dhe vende pune për këta banorë. Shtëpitë e tyre do të mbeten aty ku janë. Kur të duan të zgjerohen, në zonën e tyre do të ketë shtëpi me çmim të lirë.
Ndërtimi i kësaj vepre ka nisur dhe shumë shpejt pritet të nisin funksionet e para, si hapja e universitetit dhe shpërngulja e familjeve. Do të ketë autobusë në stacione dhe një spital me 400 shtretër, të modeluar nga firma e njohur e Moshe Safdie, me konsulentë nga John Hopkins Medicine International. Spitali do të pranojë pacientë të mbuluar nga sigurimet shtetërore të Kolumbisë.
Më shumë se 50% e popullsisë së botës jeton në qytete, dhe OKB parashikon se kjo shifër ka për të shkuar në 66% deri në vitin 2050. Nëse plani i Haimes do të jetë pozitiv, nëse lojtarët e pasur të golfit përzihen në mënyrë të suksesshme me emigrantët e varfër, ndërtuesit do të vijnë të studiojnë se si e bëri.