Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) në Kosovë, ka refuzuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të paraqitur në PZAP, pas moscertifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ.
Sipas vendimit të publikuar nga PZAP, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi, nuk mund të certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.
Kurse, sipas PZAP, lista e LVV-së në përjashtim me kandidatët e përmendur me lartë mund të certifikohet.
“Pranohet pjesërisht apeli i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, NDRYSHOHET vendimi Nr. 244-2021 i datës 22.01.2021 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me seli në Prishtinë, dhe vendoset si në vijim: Pranohet pjesërisht rekomandimi i ZRPPC-së, Certifikohet lista e kandidatëve për deputetë të këtij subjekti politik, me përjashtim të kandidatëve të cekur si në pikën -I-, të dispozitivit të këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Gjithashtu, PZAP thotë se kandidatët e cekur më lartë nuk mund të zëvendësohen me kandidatë tjerë.