Katër ditë nga tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin tonë, lëkundje të tjera janë ndjerë në afërsi të Kepit të Rodonit.

Lëkundja më e fortë e datës së sotme ka qenë me magnitudë 3.8. Kjo lëkundje është ndjerë rreth orës 01:24 të natës, ndërsa epiqendra ka qenë 30 km në veri të Durrësi, Pranë Kepit të Rodonit. Kjo lëkundje është ndjerë në disa qytete, kryesisht, Durrës, Krujë, Kamëz e Tiranë.

Po ashtu lëkundje më të lehta kanë rënë deri në orët e para të mëngjesit. Rreth orë 04:29 një tërmet ka rënë në Ballsh, shumë kilometra larg ‘vatrës’ së nxehtë të lëkundjeve të ditëve të fundit.

Më datë 21 shtator Shqipëria u shkund nga 25 lëkundje tërmeti. Tërmeti i parë me magnitudës 5.8 me epiqendër në detin Adriatik dhe intensitet 7.5 ballë, 30 km në veri të Durrësit, është ndjerë në të gjithë qytetet e vendit në orën 16:09. Lëkundja e dytë është shënuar në orën 16:15 me magnitudë 5.2. Këto ishin dhe dy lëkundjet më të forta të tërmetit me epiqendër në detin Adriatik pranë Durrësit.

108 persona kanë mbetur të lënduar dhe janë paraqitur në spitalet e Durrësit dhe Tiranës për të marrë ndihmën e parë mjekësore ndërkohë që mes tyre ka qenë edhe një turist i huaj.

Në të gjithë vendin janë dëmtuar 563 banesa, ndërkohë që 28 pallate kanë pësuar plasaritje por pa rrezik për shembje.

Artikulli paraprakMOTI I KEQ FUNDOS ANIJEN USHTARAKE PËR HEQJEN E MINAVE NË SHËNGJIN
Artikulli tjetërTHEU BOJKOTIN, OPOZITA SOT NË TRYEZËN E OSBE-SË PËR REFORMËN ZGJEDHORE