Policia malazeze përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve të opozitës, të cilët qëllonin me gurë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme. Disa mijëra përkrahës të opozitës u mblodhën të dielën mbrëma në qendër të Podgoricës.
Policia përdori gaz lotsjellës kur protestuesit hodhën gurë kundër saj. Një protestë e ngjashme u mbajt në kryeqytet të shtunën, e pasuar nga ndërhyrja e policisë. Udhëheqësit anti-qeveritarë kanë organizuar protesta të përditshme në një rrugë kryesore të Podgoricës. Partitë e opozitës kanë deklaruar se do të mblidhen në mënyrë të përsëritur në përpjekje për të imponuar zgjedhje të parakohshme. Grupet opozitare në fillim të javës së kaluar organizuan një protestë kundër-NATO-s gjatë një vizite të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Jens Stoltenberg në Mal të Zi. Opozita e ka akuzuar qeverinë se përdor metoda autoritare dhe presion ndaj kundërshtarëve politikë.