Sezoni turistik në qarkun Shkodër vazhdon që të shoqërohet me disa probleme të ndryshme.
Në Velipojë kur ende nuk kishte nisur sezoni me fluksin e madh të pushuesve u zhvillua një takim i Komitetit për Turizmin duke lënë edhe detyrat përkatëse për çdo institucion.
Që pas atij takimi mesa duket asgjë nuk ka ndryshuar për përmirësimin e sezonit turistik duke bërë që të ketë sërish shumë probleme.
Të gjendur në këtë situatë kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi bashkë me drejtorin e policisë vendore Vehbi Bushatin dhe kreu e hetimit tatimor Mirsad Sylja kanë zhvilluar një takim në zyrën e prefektit të qarkut Shkodër Çesk Millja.
Ndër diskutimet e zhvilluara problemi kryesor mbeten hapësirat publike që janë të zëna në plazhin e Velipojës.
Para pak ditësh bashkia Shkodër shpërndau një njoftim duke i bërë thirrje të gjithë subjekteve në Velipojë, edhe atyre që janë të paligjshëm që të lirojnë hapësirat publike soe do të ndërhyhet me forcë bashkë me policinë e shtetit.
Përpara se të ndërmerret një veprim i tillë është zhvilluar takimi në prefekturë ndërsa tashmë të gjithë kanë rënë dakord për të bërë secili detyrën e tij dhe pritet që në ditët në vijim ky aksion për lirimin e hapësirave publike të ndërmerret konkretisht.
Po ashtu në atë mbledhje është diskutuar edhe për paligjshmërinë e subjekteve të ndryshme në zona turistike apo edhe zgjidhjen e problemit për mjetet lundruese në lumenjtë dhe liqenet të cilat nuk kanë dokumentacionin përkatës.