Sezoni turistik po shënon momentalisht pikun e vizitave nga turistët e huaj. Aeroporti ‘ Nënë Tereza’ dhe porti i durrësit nuk ‘flenë’ që nga qershori, pasi vizitorë nga e gjithë bota kanë mbushur këtë vit më shumë se kurrë sportelet e tyre.

Nisur nga prurjet e kënaqshme të këtij sezoni turistik dhe shifrat e turistëve dhe vizitorëve të huaj që po vizitojnë vendin tonë këtë verë, Edi Rama ka krahasuar Shqipërinë e këtyre ditëve me Italinë e viteve ’50.

Pasi postoi një foto në llogarinë e tij në Facebook, ku krahason emigrantët shqiptarë të vitit 1991 të cilët dyndeshin drejt portit për të arritur në Itali, me emigrantët italianë të cilët vizitojnë Shqipërinë, kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për median italiane “La Stampa” prurjet e turizmit të këtij viti dhe shifrat mbresëlënëse të turistëve italianë.

“Po, ne jemi pak si Italia e viteve 1950. Pas tridhjetë vjetësh, ne kemi hequr stigmën e emigrantit dhe kaq. Por Shqipëria po përpiqet të mësojë nga gabimet tuaja”, shprehet Rama.

Fillimisht Rama shpjegon fenomenin “Maldivet e Mesdheut”, term i përdorur në mënyre frekuente për të përshkruar Shqipërinë, duke thënë se kjo verë ka qenë përtej pritshmërive.

“Ne po ecim në gjurmët që ka përshkuar vendi juaj dhe kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur një rritje prej 35% të turistëve, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni”, tha Rama.

Teksa tregon se sot, në shqipëri turistët e huaj vijnë dhe përzihen me dëshirë me shqiptarët, ka ndryshuar qasja në dallim nga e kaluara që paragjykoheshin si “kriminelë, mafioz, emigrantë të varfër.

“Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Mbërritjet masive dhe kostot e ulëta mund të shkatërrojnë të ardhmen dhe të lënë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore”, theksoi kryeministri.

Rama shprehet se Shqipëria ka barazuar Greqinë dhe sapo ka kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë.

“E pabesueshme, por ne kemi punuar shumë për të në këto vite të Rilindjes Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të balancuar dhe gjithnjë e më të nivelit të lartë. Duhen tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar me të mëdhenjtë”.

I pyetur për marrëdhëniet dhe afrimitetin e dëshmuar me homologen italiane Giorgia Meloni, kryeministri shqiptar u shpreh se ajo “është një surprizë e madhe për klubin euroatlantik”.

“Giorgia jo për mua, por për klubin euroatlantik është një surprizë e madhe. Në të gjitha rrethanat ndërkombëtare ajo shihet me respekt të prekshëm, ka karizëm dhe thotë të gjitha gjërat e duhura. Jam 198 cm i gjatë, por kur flet duket më e gjatë se unë”, përshkroi kreu i Qeverisë.

Duke iu kthyer situatës në frontin e luftës dhe Ukrainë dhe implikimet e saj në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama shpreson se ajo do të përshpejtojë integrimin e plotë të vendeve evropiane në BE.

“Nuk është më vetëm çështje financiare, por mbi të gjitha gjeopolitike. Do të ishte largpamëse që Ballkani Perëndimor të hynte pa u zvarritur, për të mos lënë vrima të zeza dhe hapësirë ​​për palët e treta që tashmë kanë krijuar probleme për rajonin”, theksoi ai.

Pyetjes për “gabimet” e Albin Kurtit, Rama iu përgjigj me diplomaci duke i kujtuar homologut kosovar “mundësinë fantastike” që ka në tryezë.

“E respektoj, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është kokëfortë dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë përgjithmonë në tavolina. Atëherë, historia të bën të presësh”, kujton kryeministri shqiptar.

Në përmbyllje, si “mik i Erdogan-it”, Rama përgjigjet se presidenti turk nuk e ka çelësin magjik për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

“Ai ka një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe është një bashkëbisedues i aftë midis Ukrainës dhe Rusisë. Por nuk mendoj se ka çelësin magjik për të ndryshuar një vizion imperialist, antidemokratik dhe shovinist si ai i Putin-it. Të gjitha luftërat përfundojnë në tryezën politike, por fatkeqësisht do të duhet ende shumë kohë”, tha kreu i Qeverisë për La Stampa-n.

Artikulli paraprakAHMETAJ KËRKOI HEQJEN E SEKUESTROS SË APARTAMENTIT TE ‘SHALLAVARET’, APELI I GJKKO E RRËZON
Artikulli tjetërOPERACIONI ‘CORN’ NË VAUN E DEJËS, KULTIVOI 2100 RRËNJË KANABIS MES MISRIT, NË PRANGA 28-VJEÇARI