Dita e dytë e Kupës së Botës “Rusia 2018”, vjen me tri ndeshje interesante. Kampionati Botëror, ka filluar me fitoren e Rusisë kundër Arabisë Sauditë në rezultatin 5-0, ndërsa do të vazhdojë me tri sfidat e radhës.
Në orën 14:00, përballë njëra tjetrës Egjipti dhe Urugai, duke vijuar me ndeshjen Marok-Iran në orën 17:00.
Ndërsa ndeshja kryesore e ditës luhet në orën 20:00, mes Portugalisë dhe Spanjës e cila mund të quhet një përplasje e vërtetë titanësh.
Rezultati i këtij takimi pritet të vendosë se cila nga këto dy skuadra do të renditet e para e grupit B. Edhe pse përfaqësojnë dy vende fqinje në Gadishullin Iberik dhe janë emra shumë të rëndësishëm të futbollit europian, për Portugalinë dhe Spanjën është herë e dytë në histori që përballen në Kupën e Botës.
Në fazën e 1/16 të Afrikë 2010, “La Roja” i eliminoi luzitanët me një fitore të ngushtë 1-0. Portugalia dhe Spanja janë ndeshur në 35 raste në histori. Spanjollët kanë fituar 16 takime, portugezët 6 dhe në 13 raste janë ndarë në barazim.
“La Roja”, që është një miksim i lojtarëve me eksperiencë me të rinjtë e talentuar, vjen në një moment të vështirë pas shkarkimit të trajnerit Julen Lopetegui vetëm para dy ditësh.
Me Fernando Hierron që më shumë se me taktikën duhet të punojë për të ruajtur atmosferën pozitive brenda grupit, që ky ndryshim i papritur të mos ketë ndikim në performancën e ekipit.
Nga ana tjetër Portugalia vjen si kampionia e Europës në fuqi, me “yllin” e saj Cristiano Ronaldo që ka shansin e fundit për të bërë diçka të madhe në Botëror.