Partia Demokratike dhe kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, kanë kallëzuar sot penalisht në SPAK disa shantazhe me mesazhe telefonike, duke pretenduar falsifikimin të rëndë.
Deputeti pretendon se “të interesuar janë Kryeministri dhe krimi i organizuar”.
Bëhet fjalë për disa mesazhe në aplikacionin Signal që i kanë shkuar deputetit dhe për të cilat kërkon hetime nga Prokuroria e Posaçme.
Bardhi pretendon se në mesazhe sajohen ngjarje dhe përmenden persona të krimit të organizuar.
“Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumenteve të falsifikuara. Ai i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator, në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar. Zoti Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, qëndrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK”, thuhet në njoftimin e bërë sot (30 Shtator) publik.
Më tej jepen edhe disa detaje nga mesazhet e dërguara, që kanë të bëjnë me përmbajtje bisedazh e lidhjesh nga përgjimet e SKY ECC.
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme, vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë, që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publikë dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, thotë Bardhi në letrën për Drejtuesin e SPAK-ut.
Ai shton se ka vënë në dijeni ambasadat e SHBA, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
“Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethanave konkrete të tyre”, përfundon njoftimi i nisur nga PD.