Një gjykatë apeli ka mohuar kërkesën e qeverisë federale për përmbysjen emergjente të një vendimi të një gjykate federale në Seattle të Uashingtonit, duke penguar zbatimin e urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump ndaj emigrantëve dhe refugjatëve.
Gjykatësi James L. Robart vendosi të premten se urdhri ekzekutiv nuk mund të zbatohej. Ndërkohë, gjykata e apelit refuzoi kërkesën për një rikthim emergjent të efektivitetit të urdhrit, duke përcaktuar edhe një afat për të dyja palët që të dorëzojnë argumentet e tyre. Shteti i Uashingtonit ka kohë deri në mesnatën e së dielës për t’iu kundërpërgjigjur mocionit të qeverisë, ndërsa qeveria federale ka kohë deri në 15 të ditës së hënës për t’iu përgjigjur shtetit në fjalë. Administrata “Trump” dorëzoi apelin në Gjykatën amerikane të Apeleve në San Francisco, pasditen e së shtunës. Ishte pikërisht Departamenti amerikan i Drejtësisë që paraqiti apelimin kundër pezullimit të urdhrit ekzekutiv të presidentit Trump, mbi ndalimin e udhëtimit të qytetarëve të 7 shteteve me shumicë myslimane drejt SHBA-ve. Mbajtësit e vizave nga kombet e prekura janë përpjekur për të siguruar qoftë edhe fluturimin e fundit drejt Shteteve të Bashkuara, si mundësitë e fundit që mund t’iu kenë mbetur për të hyrë atje. Urdhri ekzekutiv i Trumpit i lëshuar javën e kaluar shkaktoi protesta masive dhe konfuzion në aeroportet amerikane.