NË 2008-TËN HUMBI ME OBAMËN, KËTË HERË DUKET SE NUK KA RIVALË TË BRENDSHËM. Hillari Klinton pritet të zyrtarizojë këtë fundjavë kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke u futur kështu për herë të dytë në garë për atë kreun e qeverisë amerikane. Në vitin 2008, ajo humbi garën në Partinë Demokratike me Presidentin në detyrë, Barak Obama, por këtë herë duket se nuk ka rivalë të brendshëm. Kompania irlandeze e basteve, “Paddy Poëer”, i jep asaj 91% mundësi për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Sapo kandidatura të bëhet zyrtare, kontribuesit e fushatës së saj pritet të rreshtohen për të qenë pjesë e këtij projekti. Sipas “The Economist”, fondet e fushatës mund të arrijnë në 1 miliard dollarë, shifër që mund të rrisë shqetësimet se një përfaqësuese e së majtës si ajo është shumë më pranë sesa duhet me Ëall Street-in.
Mbështetësit e Hillarit shohin kompetencën dhe përvojën si armët e saj më të forta. Në postin e sekretares amerikane të shtetit ajo ka vizituar 112 vende. Nëse ndodh ndonjë krizë nën drejtimin e saj, me siguri që do ta ketë vizituar shtetin në fjalë dhe do të ketë njohje të mira për të dhe liderët e tij. Asnjë kandidat tjetër nga demokratët apo republikanët nuk e thotë dot këtë. Në politikën e jashtme ajo e kategorizon vetën si një idealiste realiste dhe me siguri do të jetë më e ashpër se Obama: mjafton të përmenden këshillat ndaj Presidentit për të mos tërhequr aq shpejt trupat nga Afganistani, si dhe armatimin e rebelëve laikë në Siri. Si këshilltare e ngushtë e bashkëshortit Bill dhe senatore, ajo e njeh shumë mirë Uashingtonin, dhe me punën e sjelljen e saj ka fituar zemrat edhe të shumë republikanëve në Senatin Amerikan. Por prania e Billit në fushatën e saj, mund të prishë punë po aq sa edhe të ndihmojë, pasi figura e ish-Presidentit është aq popullore sa mund të lërë në hije kandidaten demokrate. Skandali i e-maileve gjithashtu mund të jetë një pengesë e fortë për t’u kapërcyer. Por ajo që do të shqetësojë më tepër zgjedhësit amerikanë kur të hedhin votën, mund të jetë mundësia e zgjedhjes mes dy dinastish politikanësh, Klinton nga njëra anë dhe Bush nga tjetra, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara mund të përfitonin mjaft nga zgjedhja e Presidentes së parë femër.