Ish-i nominuari republikan për kandidat për president, Ted Cruz, ka ofruar mbështetjen e tij këtë të premte ndaj rivalit të tij brenda partisë, Donald Trump, në garën për Shtëpinë e Bardhë të nëntorit në SHBA.

Senatori nga Teksasi, i cili luftoi ndaj Trumpit me të gjitha mënyrat për t’ia hequr atij mundësinë e shpalljes kandidat zyrtar i republikanëve, tashmë bëri të ditur se i ka dhënë miratimin manjatit të pasurive të paluajtshme, dhe këtë e ka bërë përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook”. Cruz tha se do të përmbushte premtimin e tij për të votuar kandidatin republikan, sepse nëse zgjidhet demokratja Hillary Clinton do të ishte “tërësisht e papranueshme”. Ai u vërshëllye gjatë Konventës Kombëtare të Republikanëve në korrik, kur doli në podium dhe tha se nuk e miratonte kandidaturën e Trumpit. “Këto zgjedhje janë ndryshe nga gjithë të tjerat në historinë e kombit tonë. Ashtu si dhe shumë votues të tjerë, unë e kam pasur të vështirë të përcaktoj kursin e duhur në këto zgjedhje kombëtare”, shkruhet në deklaratën e tij. “Pas muajsh të tërë shqyrtimi të kujdesshëm, lutjeve dhe kërkimesh në ndërgjegjen time, kam vendosur që në ditën e votimit të votoj për kandidatin republikan, Donald Trump”. Cruz tha se vendosi të mbështesë ish-armikun e tij për shkak të 6 dallimeve kryesore në politikat e Trumpit dhe Clintonit, përfshi këtu edhe fatin e Gjykatës Supreme, ligjin “Obamacare”, emigracionin dhe energjinë. Trump dhe Cruz janë përplasur vazhdimisht gjatë primareve amerikane, si brenda ashtu edhe jashtë debateve politike. Trump u kritikua ashpër kur publikoi një foto të gruas së Cruzit, Heidi. Ai deklaroi gjithashtu se babai i senatorit teksan ishte i lidhur me vrasjen e presidentit amerikan, John F. Kennedy. Ndërsa vetëm pak përpara primareve të Indianës, Cruz e quajti biznesmenin njujorkez një “mburravec, klloun arrogant dhe manjak femrash”. Në shpalljen e vendimit të sotëm, Cruz theksoi se tashmë ishte i fokusuar në parandalimin e Clintonit për t’u zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë. “Vendi ynë është në krizë. Hillary Clinton tregoi edhe njëherë se është e papërshtatshme për t’u bërë presidente dhe politikat e saj do të dëmtojnë miliona amerikanë”, tha ai. “Ndërsa Donald Trump është i vetmi që qëndron stoik në rrugën e saj për t’u zgjedhur presidente”. Lajmi vjen në momentin kur Trump përgatitet të përballet me Clintonin në debatin e parë presidencial të së hënës, në Universitetin Hofstra të Nju Jorkut.

Artikulli paraprakSIRI, MBI 90 CIVILË TË VRARË NGA BOMBARDIMET RUSO-SIRIANE
Artikulli tjetërLINDJA E MESME, KUARTETI NXIT PËRPJEKJET PËR RIFILLIMIN E BISEDIMEVE TË PAQES