Një demonstrim force ishte përgjigjja e Amerikës ndaj testit më të fundit bërthamor të Penianit.

Një bombardues amerikan me rreze të gjatë veprimi fluturoi sot mbi Korenë e Jugut, si për t’i treguar fqinjit të saj komunist se çfarë mbështetje ka për Seulin. Avioni “B 52”, i aftë të transportojë një bombë bërthamore, është parë të lëvizte mbi bazën ajrore “Osan”, 72 kilometra në jug të kurifit që ndan dy vendet, përpara se të kthehej mbrapsht në bazën e vet pranë Guamit. Bombarduesin e shoqëronin dy avionë luftarakë, njëri amerikan, tjetri koreano-jugor. Admirali i Marinës amerikane, Harry B. Harris Jr., kreu i Komandës amerikane për Paqësorin, u tregua mjaft i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij. Fluturimi – tha Harris, – ishte një demonstrim i angazhimit të hekurt të Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve në Korenë e Jugut e Japoni, si dhe për mbrojtjen e vet tokës amerikane. Një bombardues i ngjashëm fluturoi mbi Korenë e Jugut në 2013-n, pak pasi Veriu kishte ndërmarrë testin e tij të tretë atomik. Lëvizja e fundit erdhi pak orë pasi Kim Jong-un i doli në mbrojtje testit të bombës me hidrogjen, të mërkurën, duke e cilësuar “të drejtë legjitime të një shteti sovran dhe një veprim, të cilin – siç tha ai, – askush nuk mundet ta kritikojë”. Këto komente, udhëheqësi koreano-verior i bëri gjatë një fjalimi të mbajtur në Ministrinë e Forcave të Armatosura Popullore. Testi, – vazhdoi më tej ai, – ishte një hap më shumë në strategjinë tonë të vetëmbrojtjes, ndërsa përmendi rrezikun e një lufte bërthamore, që i kanoset – sipas tij, – gadishullit korean nga imperialistët e drejtuar prej Amerikës. Dy ditë pas testit, Seuli rinisi transmetimet propagandistike kundër Penianit përmes altoparlantëve të vendosur në zonën e çmilitarizuar, veprim ky të cilin Veriu e sheh si akt lufte.

Artikulli paraprakTRUMP LARGON NGA MITINGU NJË GRUA MYSLIMANE
Artikulli tjetërVLLAZNIA LË BOJOKOTIN, I RIKTHEHET STËRVITJEVE