Shtetet e Bashkuara thonë se nga një operacion ushtarak amerikan është vrarë operativisti i Shtetit Islamik
(IS), që ishte ndihmës i afërt i liderit, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe ishte i ndërlidhur me një sulm në një klub të natës në Stamboll, nga i cili ishin vrarë 39 vetë. Operativisti, Abdurakhmon Uzbeki, që besohej se ishte nga Uzbekistani, është vrarë më 6 prill, gjatë një operacioni tokësor të fshehtë afër qytetit, Majadin në Siri, tha mbrëmë John Thomas, zëdhënës i Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane.
Koloneli Thomas tha se Uzbeki kishte ndihmuar në sulmin kundër një klubi ekskluziv të natës në Stamboll, natën e Vitit të Ri. Grupi ekstremist, Shteti Islamik, e pat marrë përgjegjësinë për këtë sulm, duke thënë se ishte hakmarrje për përfshirjen ushtarake të Turqisë në Siri. “Ne qartas e kemi ndërlidhur atë me bombardimin në Stamboll, natën e Vitit të Ri”, tha Thomas.