SHBA, ish-shefi i CIA-s: Trump, fajtor nëse sulmohet Amerika
Ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta deklaroi gjatë së mërkurës se presidenti i zgjedhur, Donald Trump rrezikon të fajësohet në rast të një sulmi potencial ndaj Shteteve të Bashkuara, nëse ai refuzon të marrë njoftimet nga agjencitë e inteligjencës më shpesh. Zyrtarë amerikanë kanë thënë për “Reuters” se Trumpi merr mesatarisht një njoftim përmbledhës presidencial në javë nga shërbimet sekrete, shumë më pak nga sa bënin paraardhësit e tij, por pranojnë gjithashtu se zëvendësi i tij, Mike Pence merr thuajse 6 ditë të javës të tilla informacione. Panetta, ish-kongresmeni demokrat që ka shërbyer si drejtor i CIA-s dhe Sekretar i Mbrojtjes në mandatin e parë të presidentit Barack Obama, tha gjatë një konference të sponsorizuar nga qeveria e Dubait, të njohur si Forumi për Strategjinë Arabe, se refuzimi i Trumpit “nuk mund të zgjasë”. “Kam parë presidentë që kanë pyetur në lidhje me verifikueshmërinë e informacioneve të burimeve sekrete, apo se cilët janë burimet për këto informacione, por kurrë nuk kam parë një president që thotë se ‘nuk i dëshiron të tilla informacione’”, deklaroi Panetta. “Nëse ne pësojmë një tjetër sulm dhe zyrtarët e shërbimeve sekrete kanë pasur të dhëna apo informacione mbi atë sulm, e që presidenti nuk ka dashur t’i dëgjojë për çfarëdolloj arsyeje, përgjegjësia për atë sulm do të bjerë pikërisht te presidenti”, shtoi më tej ish-shefi i CIA-s. Në një intervistë për “Fox News” gjatë së dielës, Trump tha se kishte dalë në konkluzionin se informacionet e shërbimeve sekrete ishin përsëritëse dhe se sigurisht që i kupton rreziqet potenciale. “Ju e dini, unë jam një person i zgjuar. Nuk më nevojitet të më thonë të njëjtat gjëra, me të njëjtat fjalë çdo ditë për 8 vitet e ardhshme”, tha Trump. Panetta u shpreh se Trump duhet të marrë parasysh edhe rishikimet e agjencive amerikane të Inteligjencës, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit përmes sulmeve kibernetike. “Sa i përket ndërhyrjes ruse në fushatën e fundit, 17 agjenci inteligjence kanë konkluduar se Rusia është e përfshirë në këtë përpjekje. Mendoj se presidenti do të bënte mirë të thoshte se, detyrohemi të gjejmë se cili ishte roli i Rusisë, jemi të detyruar ta hetojmë atë dhe të sigurohemi se nuk do të ndodhë më”. Sipas raportimeve, CIA beson se sulmet kibernetike ruse kanë pasur për objektiv përforcimin e kandidati republikan, një vlerësim që nuk ndahet edhe nga FBI-ja, e cila së bashku me shumë agjenci të tjera kundërzbulimi kanë dhënë konkluzionin se sulmet kibernetike ruse synuan përgjithësisht të minonin zgjedhjet amerikane. Trump i quajti vlerësimet e CIA-s si “qesharake”, ndërsa Rusia mohoi të jetë e përfshirë.