Shtetet e Bashkuara së fundmi kanë dhënë 17 milionë dollarë për të fuqizuar kapacitetet e ushtrisë e Shqipërisë, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral Bajram Begaj.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjeneral Begaj tha se gjatë takimit që ka mbajtur këtë javë me shefin e ushtrisë amerikane, gjeneralin Mark Milley, kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy shteteve, por edhe për luftën në Ukrainë.

“Shteti amerikan ka akorduar një buxhet grant prej 17 milionë dollarësh për të rritur fuqinë mbrojtëse të forcave të armatosura dhe për të rritur kapacitetet mbrojtëse. E theksoj që çdo buxhet i modernizimit të forcave të armatosura shqiptare, shkon për të rritur aftësitë tona mbrojtëse. Ne nuk kemi asnjë synim për agresion apo për t’i shpallur luftë dikujt. Ne jemi thjesht në atë çfarë kërkonte NATO si aleancë, që të bëjmë mbrojtje dhe shkurajim për çdo armik apo për çdo kundërshtar”, tha Begaj.

Më herët gjatë javës u bë e ditur që Shqipëria ka blerë sisteme raketash Javelin nga kompania amerikane, Lockheed Martin. Gjenerali Begaj nuk bëri të ditur sesa raketa kundërajrore ka blerë Shqipëria, por tha se këto armë “do të rrisin fuqinë tonë mbrojtëse kundërajrore”.

Ndërkaq, Begaj po ashtu foli edhe për planet e Shqipërisë për të blerë helikopterë Black Hawk.

“Në rritjen e kapaciteteve të forcës ajrore [të Shqipërisë] futet jo vetëm radari, por edhe pajisja me mjete luftarake, siç janë Black Hawk. Besoj se vitin tjetër Shqipëria do t’i ketë dy Black Hawk-ët e parë në vend”, tha ai duke shtuar se rritja e kapaciteteve të forcës ajrore nuk do të blhet vetëm me fondet e SHBA-së, por edhe përmes buxhetit të Shqipërisë.

Shqipëria, shtet anëtar i NATO-s, po ashtu është një nga shtetet ku është vendosur një shtab i forcave speciale amerikane në Evropë.

Gjenerali Begaj tha se prania e forcave speciale amerikane do të ndihmojë në këshillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë./ VOA

Artikulli paraprak“CORRIERE DELLO SPORT: 20 MIJË ITALIANË NË RRUGËT E TIRANËS PA BILETË
Artikulli tjetërSHKAKTUAN TRAZIRA NË TIRANË, 80 HULIGANË KTHEHEN MBRAPSHT NË ITALI