David J. Kostelancik, i emëruar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, parashtroi sot para Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, gjatë seancës së konfirmimit, përparësitë e tij si ambasador:
“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Kostelancik. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian, theksoi ai.
Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje. Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qendrueshem. Shtetet e Bashkuara, tha ai, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.Një përparësi e tretë, theksoi ai, do të jetë forcimi i klimës së biznesit. Interesat e Shteteve të Bashkuara, tha ambasadori i pritshëm, shërbehen përmes një tregu transparent Shqipëri. Zoti Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.
Zoti Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht. Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.