SHBA paraqet bilancin – Gjatë operacionit në Mosul u vranë 900 luftëtarë të ISIS

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kur kanë kaluar 10 ditë që prej nisjes së operacionit ushtarak për të çliruar Mosulin nga Shteti Islamik, 800 deri në 900 militantë të ISIS kanë mbetur të vrarë. Ekspertët janë shprehur se është shënuar progres i konsiderueshëm, por paralajmërojnë se rimarrja në dorë e qytetit mund të kërkojë disa javë ose ndoshta edhe muaj. Nga ana tjetër, deri më tani numërohen 57 të vrarë nga rradëht e ushtrisë së Irakut. Kur kanë kaluar 10 ditë nga nisja e operacioneve për çlirimin e qytetit të Mosulit nga Shteti Islamik, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë paraqitur një raport paraprak për progresin e shënuar deri më tani, teksa raportuan se gjatë luftimeve janë vrarë nga 800 deri në 900 militantë të kësaj organizate terroriste. Sipas ekspertëve ky ritëm është mjaft i kënaqshëm, pasi besohet se në kohën kur nisi operacioni madhor, dyshohej se në këtë zonë qëndronin afro 5.000 terroristë. Megjithatë, ata gjykojnë se luftimet do të vështirësohen me kalimin e kohës, për shkak se militantët mund të përdorin qytetarët si mburoja njerëzore për t’i bërë ballë sulmeve të ushtrisë qeveritare, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara si dhe nga luftëtarët kurdë. Nga ana tjetër, përllogaritet se nga rradhët e Irakut, 57 ushtarë janë ndarë nga jeta ndërkohë që 250 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Pavarësisht hapave pozitivë që kanë ndërmarrë forcat irakiane, komandantët më të lartë të ushtrisë kanë paralajmëruar se rimarrja në dorë e qytetit mund të kërkojë jo vetëm javë, por edhe muaj. Qyteti i Mosulit është i vetmi qytet në Irak që vijon të jetë plotësisht nën kontrrollin e ekstremistëve të Shtetit Islamik, pavarësisht se celula të ndryshme janë të pranishme edhe në zona të tjera. Zyrtarët janë shprehur se një operacion i suksesshëm në këtë rajon do të kishte një rëndësi të madhe strategjike. Përveç përplasjeve të drejtpërdrejta në terren, forcat irakiane janë mbështetur me bombardime ajrore nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, afro 100 ekspertë amerikanë po qëndrojnë afër komandantëve irakianë duke i këshilluar për strategji luftarake.

Artikulli paraprakAKSIDENT AUTOMOBILISTIK TEK ISH ZUKTHAT
Artikulli tjetërSPARTAK BRAHO:ME 1997 PREFEKTET URDHERUAN SHPERNDARJEN E ARMEVE