Personat që kanë kryer vaksinën kineze “Coronavac” për Covidin nuk do të kenë probleme po të udhëtojnë në Amerikë.
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se vendi do të fillojë të jetë i hapur për vizita për gjithë të huajt e imunizuar me njërën nga gjashtë vaksinat që kanë miratimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, siç janë “Pfizer-BioNTech”, “Moderna”, “Johnson & Johnson”, “Oxford-AstraZeneca”, indianen Covishield dhe dy vaksina kineze “Sinovac” dhe “Sinopharm”.
Një zëdhënës i OBSH-së tha të premten se agjencia ndërkombëtare e shëndetësisë pritet të aprovojë së shpejti edhe vaksinën ruse “Sputnik V”.
Shtetet e Bashkuar kanë caktuar muajin nëntor për heqjen e kufizimeve ajrore për udhëtarët nga 33 shtete, si Kina, India, Brazili dhe shumica e vendeve të Europës që kanë marrë dozat e plota kundër virusit SARS-CoV-2.
Në gjithë botën janë imunizuar mbi 3 miliard e gjysmë persona ose gati gjysma e banorëve të Tokës, dhe mbi një e treta e tyre janë kinezë.
77 për qind e vaksinave u kanë shkuar vendeve me të ardhura të mesme ose të larta dhe vetëm 0,5 për qind shteteve me të ardhura të ulëta.
Vaksinat që ende nuk kanë marrë certifikimin e OBSH-së për përdorim urgjent janë rusja “Sputnik V”, “QazVac” e Kazakistanit, “COVIran Barakat” e Iranit, indiania “Covaxin” dhe vaksinat e prodhuara në Kubë.