Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka dënuar dhunën në protestën e opozitës ditën e sotme. Me anë të një postimi në faqen zyrtare në Facebook thuhet se
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën dhe shkatërrimin që ndodhën gjatë protestave të sotme në Tiranë.
Mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë.
Iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive”
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar mbi tensionet në protestën para kryeministrisë. Përmes një postimi në twitter apelohen palët të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe përçarje të mëtejshme.
Ndërkohë Presidenti Ilir Meta ka reaguar ne lidhje me protestën dhe incidentet tek kryeministria.
Duke ndjekur me vëmendje të veçantë protestën e opozitës bëj thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunës. Qytetarët duhet të protestojnë të lirë dhe duhet të respektohen institucionet.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në instagram lidhur me protestën e opozitës para godinës që ai vetë drejton dhe takimit të mbajtur prej tij sot në Vlorë.
“Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe Politika e dalë boje në Tiranë” – shkruan Rama në Instagram ndërsa publikon edhe dy foto të takimeve në Tiranë e Vlorë.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar me një postim në Twitter
Lleshaj iu ka bërë thirrje drejtuesve politikë të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve dhe gjithashtu iu bën apel qytetarëve të distancohen nga elementët e dhunshëm.