Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord të mërkurën të punojnë së bashku për një hetim ndërkombëtar rreth një sulmi sirian me armë kimike javën e kaluar, i cili u bë shkak për kundërpërgjigjen amerikane me raketa.

Uashingtoni ia hedh fajin për sulmin presidentit sirian Bashar Assad, aleat i Rusisë, ndërsa Moska thotë se përgjegjës janë kryengritësit sirianë. Pas një ditë bisedimesh në Moskë me Sekretarin amerikan të Shtetit Rex Tillerson, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, tha se dy ish-armiqtë e Luftës së Ftohtë ranë dakord për nevojën e një hetimi të OKB-së rreth ngjarjeve të 4 prillit në veri të Sirisë. Më shumë se 80 njerëz u vranë në atë që SHBA e përshkruajnë si një sulm me gaz nervor të ndërmarrë pa dyshim nga forcat e Asadit. Rusia thotë se ishin kryengritësit që shpërndarë një lëndë kimike, version të cilin administrata e Presidentit Trump e quan fushatë keqinformimi. Konferenca e përbashkët e shtypit e dy kryediplomatëve u zhvillua pas një takimi prej dy orësh që presidenti rus Vladimir Putin pati me zotin Tillerson.

Takimi Putin-Tillerson u konfirmua zyrtarisht vetëm në minutën e fundit, pas shumë ditë spekulimesh nëse presidenti rus do ta priste apo jo Sekretarin amerikan të Shtetit. Vendimi i zotit Putin për të pritur Sekretarin Tillerson sinjalizonte synimin e Moskës për të ruajtur komunikimin me SHBA, megjithë tonet gjithnjë e më të larta të akuzave që dy vendet i kanë drejtuar njëri-tjetrit. Palët shqyrtuan rrugët për të shpëtuar marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha ushtarake të botës. Ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale amerikane për të cilën akuzohet Rusia ishte gjithashtu një temë në takimin e parë të drejtpërdrejtë mes Presidentit Putin dhe Sekretarit Tillerson. “Mes dy vendeve tona ka një nivel të ulët besimi,” i tha zoti Tillerson presidentit rus. Nga ana e tij, ministri i jashtëm Lavrov tha se akuzat për ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane nuk janë provuar. Ai tha se Moska nuk ka parë “një fakt të vetëm, apo edhe një aluzion për fakte” që të vërtetojnë pretendimet amerikane për ndërhyrje të Rusisë.

Zoti Lavrov shtoi se Rusia do t’i shqyrtojë fakte të tilla, nëse ato i vihen në dispozicion. Agjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se Rusia ndërhyri në fushatën presidenciale dhe në zgjedhjet e SHBA për të ndihmuar fitoren e kandidatit Donald Trump. Kongresi amerikan po kryen një hetim rreth lidhjeve të dyshuara midis zyrtarëve të fushatës Trump dhe Rusisë. Në konferencën e shtypit zoti Tillerson tha se do të krijohen grupe pune për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe për të identifikuar problemet. Ai tha gjithashtu se dy palët do të diskutojnë edhe mbi mosmarrëveshjet në Siri dhe mënyrën se si t’i japin fund luftës civile gjashtë-vjeçare të vendit. Të mërkurën Rusia i vuri veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit që dënon sulmin me armë kimike në Siri.

Kina abstenoi. Në SHBA, udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell, komentoi me fjalë të ashpra për Rusinë dhe rolin e saj në Siri, gjatë një takimi me gazetarët në shtetin Kentucky. Kritikat e senatorit McConnell përkonin me vizitën e zotit Tillerson në Rusi. I pyetur në lidhje me përfshirjen e Rusisë në Siri, zoti McConnell tha: “Një gjë për të cilën mund të jeni të sigurt për rusët është se ata nuk kanë ndonjë qëllim të mirë dhe nuk janë miqtë tanë. Mendoj se administrata e re po e kupton këtë. Ata mund të kenë qenë disi të hutuar gjatë fushatës, por mendoj se tani po e kuptojnë.”

Artikulli paraprakNIKOLLA: TARIFAT PËR UNIVERSITETET NUK JANË RRITUR DHE AS NUK RRITEN
Artikulli tjetërGREQIA JEP ME KONCESION 14 AEROPORTE PËR 1.4 MILIARDË EURO