“Diçka do të bëhet”, tha presidenti amerikan Donald Trump, në përgjigje të sulmeve kimike të regjimit të Assad, në Siri dhe menjëherë mbajti fjalën e dhënë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën një ofensivë ajrore ndaj Sirisë, ku si objektiv i sulmeve ishte aeroporti ushtarak sirian “Al-Shayrat”.
Marina amerikane e Mesdheut ka goditur 56 herë, me raketa “Tomahaëk”, në aeroportin ushtarak dhe zonën ku u përdorën armët kimike. Sulmi filloi në orën 04:40 të mëngjesit të së premtes, sipas orës siriane, ose 03:40 sipas orës shqiptare. Zyrtarët konfirmojnë se në këtë ofensivë nuk është përfshirë akoma asnjë avion luftarak, por është goditur vetëm me raketa.Nga resorti i tij luksoz “Mar-a-Lago”, presidenti Donald Trump konfirmoi urdhërin për të sulmuar mbi Siri dhe i bën thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të ndihmojnë për t’i dhënë fund konfliktit sirian.
“Sonte i bëj thirrje të gjithë kombeve të civilizuara, të na bashkohen neve, për të kërkuar t’i japim fund kësaj masakre e gjakderdhjeje në Siri dhe për t’i dhënë fund terrorizmit të të gjitha llojeve”, u shpreh Trump, menjëherë pas nisjes së ofensivës ajrore.GJithashtu, mësohet se presidenti Trump ka urdhëruar sulme masive ushtarake kundër Sirisë, në përgjigjë të përdorimit të armëve kimike, nga ana e regjimit të Assad-it. Mësohet se SHBA-ja ka vënë në dijeni edhe Rusinë për nisjen e kësaj ofensive, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, hodhi edhe akuza ndaj tyre. Ende nuk dihet nëse sulmi amerikan mbi siri do të përshkallëzohet, apo Trump do të mjaftohet vetëm me dërgimin e këtij sinjali ndaj Assad-it.